Site icon PrishtinaPress

FOTO- Saimir Tahiri drekë në qeli me Balilin dhe Bajrin, Drejtoria e Burgjeve: Ja si qëndron e vërteta

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka publikuar një foto ku shfaqet Saimir Tahiri, Klement Balili dhe Safet Bajri duke ngrënë drekë ne qeli.

Jo të gjithë shqiptarët vdesin nëpër burgjet e Edi Ramës, vdesin ata që janë aty për lekët e dritave por jo ata që janë aty si hajdutë e trafikantë. Këta të fundit kanë privilegjin të bëjnë turizëm në burg, në kavalishencën e tyre qeveritare, madje edhe të ngrenë dolli shëndeti për kapon e tyre, që i bëri sheikët e vendit më të varfër në Europë. Në foto, Saimir Tahiri, Klement Balili, Safet Bajri gëzojnë privilegjet e partisë”, shkruan Berisha.

Një reagim për postimin e Berishës e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Shqipëri e cila sqaron se fotoja është bërë në burgun ‘Kosova e Lushnjes’ dhe në këtë burg sipas reagimit ushqimi shërbehet në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ka një mensë kolektive.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, “fotografia ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi”.

Reagimi i Drejtorisë së Burgjeve

Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjes’.

Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.

Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.

Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.

Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Drejtoria e Burgjeve ju falenderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

Me respekt,

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”

Exit mobile version