Site icon PrishtinaPress

Forumi “Ulpiana”: Shqipëria, Maqedonia e Kroacia flasin për potencialin e diasporës

Në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, është mbajtur paneli “Migrimi përmes angazhimit të Diasporës”.

Në këtë panel, pjesëmarrës ishin ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, homologu i saj i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, si dhe Artemis Malo, zv.ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.

Shefi i diplomacisë maqedonase, Osmani, theksoi rëndësinë e përfshirjes së popullatës rezidente dhe të diasporës në regjistrimin e popullsisë.

Ai bëri dallimin mes diasporës së shekullit të 19-të dhe diasporës së viteve 1980, duke theksuar kontributet e tyre të ndryshme.

Ministri Osmani tha se “mënyra e vetme për të parandaluar largimin e të rinjve është sigurimi i një standardi më të mirë në vetë vendin, për të cilin zgjidhja është anëtarësimi në BE”.

“Përvoja jonë tregon se për një qasje gjithëpërfshirëse të punës me diasporën, tre elementë janë kyç – ligji për diasporën, mbështetje institucionale dhe hartografia. Gjatë regjistrimit të vitit 2021, Maqedonia e Veriut bëri të mundur që qytetarët tanë të regjistrohen jashtë vendit për herë të parë”, deklaroi ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në forumin “Ulpiana”.

Ndërkaq, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropës e Shqipërisë, Artemis Malo, theksoi përkushtimin për adresimin e çështjeve të diasporës në Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”.

Ajo theksoi përgjegjësinë për të zgjeruar rrjetin dhe për t’u angazhuar me shqiptarët në mbarë botën.

Sekretari i Jashtëm dhe për Evropën i Kroacisë Zdenko Luciq theksoi rëndësinë e lëvizjes së qytetarëve për të sjellë përvojat ndërkombëtare në vend. Ai potencoi nevojën që shtetet të përmirësojnë kuadrin ligjor dhe të krijojnë mundësi për t’u angazhuar me diasporën.

Exit mobile version