Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti e ka njoftuar sot forumin e partive politike për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili, siç ritheksoi ai, duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve dhe me njohje reciproke.
Me këtë rast, kryeministri Hoti shtjelloi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut. Duke nisur që nga Samiti i Parisit, mbajtur më 10 korrik 2020 nëpërmjet video-konferencës, në të cilin morën pjesë Presidenti Macron, Kancelarja Merkel, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme i BE-së Borrel, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Lajçak dhe presidenti serb Vuçiq, video-konferenca e datës 12 korrik 2020, në mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë, e udhëhequr nga Borrel dhe Lajcak, deri te takimi i fundit me presidentin serb në Bruksel, që është mbajtur më datë 16 korrik 2020, po ashtu me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së.
“Kryeministri Hoti, edhe me këtë rast, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Më tej në njoftim thuhet se të gjithë përfaqësuesit e partive politike të vendit të përfaqësuara në këtë forum, i dhanë mbështetje të plotë kryeministrit Hoti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për procesin e dialogut politik me Serbinë.