Site icon PrishtinaPress

Forumi i Bratisllavës, Kurti: Mbështetemi te Procesi i Berlinit – presim përgjigje pozitive për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryeministri Albin Kurti ,po merr pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2022, ku sot diskutoi në panelin “Tani ose kurrë – Duke zhbllokuar të ardhmen evropiane për Ballkanin Perëndimor”.

Ne duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian sa më herët që është e mundur, tha Kurti.

Ne mbështetemi shumë te Procesi i Berlinit, shtoi ai, duke theksuar se e mirëpret përkushtimin e Kancelarit  Scholz për të rifilluar këtë proces me një dinamikë të re.

Duke thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret nismat e BE-së, me vlerat e BE-së brenda, kryeministri ritheksoi se nuk beson te vetëmjaftueshmëria e Ballkanit Perëndimor.

Sundimi i së drejtës, drejtësia sociale, luftimi i krimit dhe korrupsionit, ballafaqimi dhe adresimi i së kaluarës, reciprociteti i të drejtave të pakicave dhe barazia, u theksuan nga Kurti si të domosdoshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Na duhet të kemi vlera evropiane të ndihmuara nga Bashkimi Evropian, pra që ato të rriten për së brendshmi, tha kryeministri. Ai theksoi se na duhen vende me demokraci, ku opozita mund të fitojë zgjedhjet. Konkretisht tha se për sundimin e së drejtës dhe luftimin e krimit ndërkufitar në Ballkan, na duhet ndihma e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për dialogun me Serbinë, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e përkushtuar, konstruktive dhe kreative.

Ai ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime, për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar te njohja e ndërsjellë. Por, Serbia ende nuk i njeh krimet e luftës dhe thotë se nuk do të njeh pavarësinë e Kosovës, tha kryeministri.

“Kosova është histori suksesi, i luftës çlirimtare, punës së madhe që është bërë dhe ndihmës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi shpallur pavarësinë 9 vite pas çlirimit, kemi marrë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, duhet të ecim përpara”, theksoi kryeministri Kurti.

Ai tha se Qeveria pret një përgjigje pozitive për aplikimin e bërë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Krahas Kryeministrit Kurti, në panel diskutuan edhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Stuart Peach.

Exit mobile version