Kompania kosovare e cila ka “shpërthyer” në tregun ndërkombëtar, Formon 3D së fundmi e ka arritur edhe një sukses të jashtëzakonshëm.
Themeluesit e Formon dje kanë fituar edhe në një garë të rëndësishme të bizneseve startup, prej nga e kanë marrë çmimin dhe shpërblimin financiar prej 130 mijë eurove.
E për ta bërë edhe më domethënëse arritjen e tyre, Formon ka fituar këtë çmim midis kryeqytetit serb, Beogradit.
“Me kënaqësi të madhe ne njoftojmë se Formon është fitues i çmimit“Innovation” në ‘CATCH Challenge’ të Foundcenter Investment të mbajtur në Beograd, ku konkuruan mbi 850 biznese nga mbarë bota”.
Fondi i përgjithshëm i investimeve të ngritura nga Foundcenter Investimeve Berlin, Los Angeles dhe Beograd arrinë në 100 milionë euro, thuhet në përshkrimin e organizatës që ka organizuar garën e ideve inovative të quajtur Catch.
Këtu mund ta shihni listën e gjithë bizneseve dhe ideve që kanë marrë pjesë, si dhe listën e gjithë atyre projekteve dhe ideve inovative që janë shpërblyer me mjete të konsiderueshme për investime kapitale.
Formon ka njoftuar më herët se produkti i saj Formon Core do të debutojë së shpejti në treg, dhe ne do të mund ta kemi atë në zyrat dhe shtëpitë tona.
Formon e ka fituar edhe titullin e Innovation of the Year Award në Albanian ICT Awards.