Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë njofton qytetarët e Kosovës se buxheti prej 10 milionë euro, i destinuar për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”, tashmë është drejt përfundimit.
Me këtë rast, ky fond përmes një komunikate lut të gjithë të interesuarit për të përfituar nga subvencionimi prej 45% (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro, të shfrytëzojnë edhe pak ditë të mbetura deri në përmbyllje.
Ju rikujtojmë se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit. Të gjithë ata që pranojnë këtë dokument, duhet të ndjekin edhe më tutje rregullat e parapara në thirrjen publike (Thirrja Publike) deri në përfundim të procesit kur edhe marrin paratë”, thuhet në njoftim.
Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.