Dita botërore e dhurimit, filantropisë dhe unitetit #GivingTuesdayNow po shënohet sot edhe nga Fondacioni Global Shqiptar dhe organizata Germin duke lansuar 12 fushata humanitare të cilat kanë për qëllim intervenimin emergjent ndaj situatës së krijuar nga COVID-19 në territoret shqip-folëse.
Në njoftimin për media thuhet se kjo ditë nxit bujarinë, angazhimin e qytetarëve dhe aktivizimin e bizneseve për filantropi dhe mbështetje për komunitetin dhe organizatat jo-fitimprurëse në të gjithë botën.
“Sot u lansuan 12 fushata humanitare për ngritje të fondeve që synojnë të ndihmojnë territoret shqip-folëse në Ballkan”, thuhet në njoftim.
Fushatat e lansuara për #GivingTuesdayNow janë: Të ndihmojmë Profesionistët Shëndetësor Shqiptar; Të ndihmojmë krijimin e Lëvizjes Rinore mbarë shqiptare; Të ndihmojmë të moshuarit dhe romët në Korçë dhe Berat; Të ndihmojmë Personat me Aftësi të Kufizuara në fshatra në veri të Shqipërisë; Të ndihmojmë familjet rurale në veri të Shqipërisë; Të ndihmojmë Fëmijët dhe Rininë në Shqipëri; Të ndihmojmë Gratë në nevojë në Shqipëri; Të ndihmojmë familjet në nevojë në Dibër; Të ndihmojmë familjet në nevojë në Preshevë; Të ndihmojmë 700 familje në Kamenicë; Të ndihmojmë ‘Made in Kosova’; Të ndihmojmë familjet e zonave të Malësisë dhe Ulqinit në Mal të Zi.
“Në një kohë kur ne të gjithë po përjetojmë pandeminë, bujaria dhe mirësia është ajo që na bashkon të gjithëve pa dallime racore, religjioze apo pikëpamjeve politike në të gjithë globin. Mirësia i jep të gjithëve fuqinë për të bërë një ndryshim pozitiv në jetën e të tjerëve dhe është një vlerë themelore për të cilën mund të veprojë secili. Sot më shumë se rrallëherë më parë është e nevojshme të qëndrojnë së bashku dhe të japim përsëri në të gjitha mënyrat, pavarësisht se kush ose ku jemi”, tha Mark Kosmo, Kryetar i Bordit të Global Albanians Foundation.
Mënyrat e dhurimit janë përmes fushatave në Facebook si dhe në ueb-faqe.