Fondacioni ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ (AMC) nga Prishtina, Kosovë, mbajti mbrëmjen e saj të parë bamirëse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Russian Tea Room, New York.
Shumë mbështetës të punës së AMC-së u mblodhën për ta bërë këtë mbrëmje një sukses. Me mbi 100 musafir nga biznesi, kultura, politika dhe artet, kulminacioni i mbrëmjes ishin fjalimet e dhëna nga Valerie Rockefeller Wayne, nga Rockefeller Brothers Fund, si dhe Dua Lipa, këngëtare dhe patrone e Fondacionit ‘Sunny Hill’.
Folëset e mbrëmjes treguan mbi rëndësinë e ndërtimit të mardhënieve të mes komunitetit filantropik të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara, si dhe inkurajimit për ngritjen e fondeve që do të ndihmojnë drejt uljes së vdekshmërisë së foshnjave dhe nënave në Kosovë.
Musafir të nderit ishin edhe Albert Stanaj, Gëzim Nika, Tony, Dovolani, Albërie Hadërgjonaj, dhe shumë të tjerë.
Gjatë mbrëmjes shumë njerëz dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktelin dy-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishin personalitete të mirënjohura nga Kosova si dhe Shtetet e Bashkuara, si: Richard Lukaj, Bekim Ahmetaj, James C. Strickler, Michael Gold, Haki Abazi dhe Fadil Berisha.
Konsulata e Kosovës në Nju Jork si dhe Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbështetjen e tyre që në fillim të organizmit të ngjarjes, duke ndihmuar që të tregojnë për punën e AMC-së në komunitetin filantropik të Nju Jorkut dhe më gjerë.
Suksesi i kësaj mbrëmje nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e donatorëve si Fondacioni Lukaj, Restauranti Doro Group, Russian Tea Room, Dr. James C. Strickler, Harry Bajraktari, Fadil Berisha si dhe shumë emra të tjerë që e bënë këtë mbrëmje një realitet.
Mbrëmja u përmbyll me sukses, duke i premtuar miqve të ri të AMC-së se fondet e ngritura do të bëjnë një ndryshim domethënës në jetët e nënave dhe fonjave në Kosovë.