Site icon PrishtinaPress

FOL: Qeveria i ka realizuar vetëm 60 aktivitete nga 175 të planifikuara për gjashtë muaj

Qeveria e Kosovës i ka realizuar 60 aktivitete në gjashtëmujorin e parë të këti viti, nga 175 sa kishte planifikuar. Këto të dhëna u bënë të ditura nga Lëvizja FOL në një konferencë për media, nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë të quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.

Drejtoresha ekzekutive e “FOL”,  Mexhide Demolli-Nimani, tha se një nga të metat është mungesa e kapaciteteve analitike dhe po ashtu mungesa e buxheti.

Sipas saj, afatet e realizimit të aktiviteteve janë vendosur sipas dëshirës së institucioneve.

Ajo shtoi se kjo vendosje e afateve të aktiviteteve kaq e gjatë është e qëllimshme në mënyrë që zyrtarët t’i ikin përgjegjësive dhe llogaridhënies.

“Elementet kryesore të Planit Kombëtar për Zhvillim (tani e tutje: PKZh) janë: qëllimet zhvillimore dhe strategjike të shoqëruar me tregues të ndikimit dhe tregues kryesor të rezultateve, masat strategjike të shoqëruara me tregues të rezultateve, veprimet e shoqëruara me tregues të produkteve, peshimi i masave strategjike dhe veprimeve, afatet kohore, buxheti dhe elemente tjera më pak të rëndësishme. Plani ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të pa lexueshëm, të pa kuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë apo edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZh”.

“Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë me Programin Legjislativ për vitin 2023. Për shembull, Ministria e Shëndetësisë në Planin Legjislativ gjithashtu ka paraparë 5 projektligje por asnjëra nuk është përfshirë në Planin Strategjik Kombëtar; Ministria e Drejtësisë në Planin e saj Legjislativ kishte paraparë miratimin e 9 projektligjeve, ndërsa në Planin Strategjik Kombëtare janë paraparë vetëm 8 projektligje;  Zyra e Kryeministrit ka parapare miratimin e 5 projektligjeve në Planin Legjislativ por vetëm 1 prej tyre është përmendur edhe në Planin Strategjik Kombëtare. Masat strategjike të PKZh-së janë intervenimet të cilat ndërmerren për një periudhë 3 vjeçare, të cilat shoqërohen me tregues, veprime dhe buxhet përkatës. Sidoqoftë, hartimi i masave nga ana e ministrive nuk ka uniformitet. Mungesa e uniformitetit vërehet në nivelin e masës: në disa raste janë jashtëzakonisht specifike ndërsa në disa raste të tjera janë pothuajse të barasvlershme si vet qëllimi strategjik. E njëjta vlen edhe për nivelin e treguesve. Edhe pse për masa strategjike është dashur të caktohen tregues të rezultateve, ato janë përzier me tregues të produkteve, e në raste të caktuara edhe me ato të ndikimit”.

Ndërkaq, Albana Hasani, hulumtuese e lartë në Lëvizjen FOL, prezantoi realizimin e aktiviteteve për secilën ministri.

“MAShT – Nga 10 aktivitete të parapara të përfundojnë në tre mujorin e dytë të vitit 2023, 4 prej tyre nuk janë përfunduar. ZKM – Ka planifikuar 47 aktivitete që të përfundohen deri në fund të 3 mujorit të dytë, ndërkaq ka realizuar vetëm 12 prej tyre. MPBZhR – ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat i ka përfunduar të gjitha. MSH – ka planifikuar 14 aktivitete prej të cilave i ka realizuar vetëm 8 aktivitete. MKK – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar. MZhR – ka paraparë vetëm 1 dhe atë e ka realizuar. MM – ka parapare vetëm 2 aktivitete prej të cilave vetëm një është realizuar.  MAPL – ka planifikuar vetëm 4 aktivitete dhe ka realizuar ka realizuar 3 dhe 1 nuk e kanë realizuar. MD – ka planifikuar 14 aktivitete të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë. Nga to 5 janë përfunduar, 6 nuk janë përfunduar ndërkaq për dy të tjera nuk kanë ofruar përgjigje. MPB – ka planifikuar 16 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2. MFPT – ka planifikuar 8 aktivitete prej të cilave i ka përfunduar 6 dhe 2 nuk janë realizuar. MINT – ka paraparë 18 aktivitete prej të cilave 7 i ka përfunduar dhe 10 nuk i kanë përfunduar dhe për 1 nuk kanë ofruar përgjigje. ME – ka planifikuar 5 aktivitete prej të cilave ka përfunduar vetëm 3 ndërkaq 2 nuk janë realizuar ne afatin e paraparë”.

“Ndërkaq këto ministri nuk kanë kthyer përgjigjje: MMPHI (e cila i kishte të planifikuara 15 aktivitete për këtë periudhë), MPJD (e cila i kishte të planifikuara 7 aktivitete) dhe MKRS (kishte paraparë 8 aktivitete). Prandaj aktivitetet e tyre nuk janë përfshire fare në kalkulim. Në tërësi, në 6 mujorin e parë të vitit 2023 në Planin Kombëtar për Zhvillim është paraparë realizimi i 175 aktiviteteve, prej të cilave kanë arritur të realizohen vetëm 60 nga to brenda afatit të paraparë”.

Exit mobile version