Site icon PrishtinaPress

FOL: Qeveria dështoi t’i realizonte objektivat kryesore

Përgatitja e padisë për gjenocid kundër Serbisë ka mbetur më shumë si një nismë retorike, thotë analiza e Lëvizjes Fol për programin e qeverisë 2021-2025. Sipas kësaj organizate një gjë e tillë është promovuar nga qeveria, por që nuk ka treguar progres konkret. Në prezantimin e kësaj analize, ndër tjera u tha se qeveria ka dështuar të realizojë objektivat kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional.

Përgatitja e padisë për gjenocid kundër Serbisë ka mbetur më shumë si një nismë retorike, thotë analiza e Lëvizjes Fol për programin e qeverisë 2021-2025.

Sipas kësaj organizate një gjë e tillë është promovuar nga qeveria, por që nuk ka treguar progres konkret.

Në prezantimin e kësaj analize, ndër tjera u tha se qeveria ka dështuar të realizojë objektivat kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional.

Drejtoresha e organizatës “Lëvizja Fol”, Mexhide Demolli tha se edhe sundimi i ligjit, i cili është konsideruar prioritet kyç ka hasur në pengesa të mëdha.

“Sundimi i ligjit, i konsideruar një prioritet kyç në programin qeverisës, ka hasur gjithashtu në pengesa të mëdha. Procesi i Vettingut, i prezantuar si një masë për pastrimin e sistemit të drejtësisë, nuk ka arritur të kalojë fazën fillestare, duke reflektuar mungesën e një strategjie të qartë dhe vullnetit politik në zbatimin e tij”.

“Për më tepër, përgatitja e padisë për gjenocid kundër Serbisë është promovuar gjerësisht nga qeveria, por deri më tani nuk ka treguar ndonjë progres konkret dhe ka mbetur më shumë si një nismë retorike. Në përmbledhje, programi qeverisës për 2021-2025 ka dështuar të realizojë objektivat e tij kryesore për shkak të ngecjeve procedurale, mungesës së përgatitjes teknike dhe mungesës së koordinimit institucional”, deklaroi Demolli.

Në prezantimin e kësaj analize, Demolli shtoi se programi i qeverisë është përballur me sfida serioze që kanë penguar arritjen e objektivave kryesore.

“Ndër sfidat kryesore janë vonesat në miratimin e politikave, defektet legjislative dhe mungesa e koordinimit ndër-institucional. Programi i qeverisë ka paraparë dy prioritet kryesore të asaj kohe që kanë qenë menaxhimi i pandemisë COVID-19 dhe ringjallja ekonomike”.

“Kurse, sa i përket aspektit sektorial, Programi i qeverisë është i ndarë në 18 prioritete, ku përfshihen: Shëndeti publik dhe mbrojtja sociale, sundimi i ligjit, rendi dhe siguria publike, qeverisja, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore”, deklaroi ajo.

Po ashtu, ajo përmendi edhe vonesën në miratimin dhe zbatimin e ligjeve, ku theksoi se numër i madh i projektligjeve janë kontestuar për shkelje procedurale dhe janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, një grup deputetësh dorëzoi 16 projektligje në Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar qeverinë për mosrespektim të procedurave ligjore. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar gjithashtu disa nëne të rëndësishme, duke i konsideruar ato në kundërshtim me Kushtetutën. Ndër to janë Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat konsideroheshin kyçe për reformën në sundimin e ligjit”.

“Shfuqizimi i këtyre ligjeve ka nxjerrë në pah jo vetëm mungesën e përgatitjes teknike të qeverisë, por edhe dobësinë në sigurimin e një konsensusi më të gjerë politik dhe institucional për ndërtimin e një marrëveshjeje mes partive politike”, shtoi Demolli.

Sfidë tjetër madhore, siç e quajti Demolli, ka qenë mungesa e koordinimit ndër-institucionale. Këtu përmendi vonesat për miratimin e strategjisë kombëtare për zhvillim dhe krijimin e Fondit Sovran.

Tutje, Burbuqe Kastrati nga “Lëvizja Fol” ka folur për zbatimin e planit kombëtar zhvillimor për janar-dhjetor 2024.

“Zyra e Kryeministrit kishte paraparë 62 aktivitete të realizohen gjatë periudhës janar-dhjetor 2024 në kuadër të planit për zhvillim. Nga to janë realizuar 35 dhe 27 kanë mbetur të parealizuara. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të planit për zhvillim ka paraparë të realizohen 45 aktivitete, ka realizuar 30, 15 kanë mbetur të parealizuara. Sa i përket Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural në kuadër të planit për zhvillim ka paraparë të përfundojë 29 aktivitete dhe prej tyre janë realizuar vetëm 19, 10 kanë mbetur të parealizuara”,përfundoi ajo./KP

Exit mobile version