Besnik Osmani i lindur më 12.05.1978 në Preshevë me vendbanim në Prishtinë, që nga 24 marsi rezulton i zhdukur.
Besniku ishte larguar nga shtëpia pasditen e 24 marsit ku ishte nisur drejt Preshevës, mirëpo i njëjti nuk kishte arritur në destinacionin e tij.
Bashkëshortja e tij, Vjollca Osmani në një prononcim për Telegrafin ka treguar rreth largimit të bashkëshortit të saj nga shtëpia dhe humbjes së kontaktit me të, tashmë që gjashtë ditë.
“Më 24 mars, burri ka dashtë me shku në Preshevë për arsye se ai ka qenë financier në bibliotekën “Mehet Isufi” në Preshevë. Disa kolegë e kanë thirr edhe i kanë tregu se një sistem i punës po ndryshon shkaku i gjendjes së pandemisë dhe po duhet me marrë një pajisje. Edhe pse unë insistova mos me shku, ai më tha se nuk mundet mi lënë njerëzit pa rroga, tha po e thërras drejtorin e bibliotekës që me ma leshu një leje qarkullimi, mirëpo drejtori me sa kuptova unë i tha që nuk ka mundësi me ba një gjë të tillë…”, tha Osmani.
Osmani më tej vazhdon rrëfimin duke treguar se bashkëshorti nuk i ishte lajmëruar as që ka arritur në kufi.
“Bashkëshorti doli dhe u nis, dhe unë nuk e pengoj ma deri sa ai të më lajmërohet që ka arrit në kufi apo Preshevë, sepse ne jetojmë në Prishtinë. Nuk mu ka lajmërua që ka arrit, pasi u bë një kohë që nuk u lajmërua ka ora 16:00 u detyrova unë me thirr. E kam thirr por nuk i kanë funksioni telefonat as i Valës as i 63-shit. Me kalimin e kohës fillova mu shqetësua sepse nuk u lajmërua, pastaj e thirra babën e tij që jeton në Preshevë dhe e pyeta se a ka ardh Besniku, më tha jo nuk ka ardh. I kërkova me këqyr a e ka kaluar kufirin, ai pas një kohe ma konfirmoi që nuk e ka kalu kufirin”, ka deklaruar për Telegrafin, Vjollca Osmani bashkëshortja e Besnikut.
Vjollca më tej thekson se pasi kanë kaluar 24 orë, ka shkuar në stacionin policor në veri në Vranjevc të Prishtinës dhe e ka paraqitur rastin.
“Kam pritur 24 orë dhe pastaj kam shkuar në stacionin e policisë në veri pasi që na lidhet me lagjen ku jetojmë dhe e paraqita rastin. Ata atë ditë më kanë konfirmuar njëjtë si baba i Besnikut, që Besniku nuk ka kaluar kufirin të paktën në mënyrë legale jo”, u shpreh Osmani.
Besniku kishte tentuar ta kalojë kufirin Kosovë-Serbi në fshatin Muçibabë, por pa sukses.
Bashkëshortja e tij, Vjollca tregon se në këtë vend pas disa kërkimeve që i kanë bërë disa nga banorët e kanë gjetur veturën e Besnikut.
“Më 26 mars, hetuesi policor më lajmëroi që sateliti po e tregon që Besniku ka qenë në fshatin Muçibabë dhe prej aty ma nuk sinjal tjetër, edhe sipas hetuesit policor Besniku kishte biseduar me policinë në pikat kufitare se a mundet me kalua kufirin…”, rrëfen Vjollca.
Vjollca tregon se ka shkuar vetë në atë pjesë dhe ka kontrolluar mirëpo nuk ka gjetur gjurmë të bashkëshortit të saj, që sipas ajo dyshon se ai është marrë nga xhandarmëria serbe.
Pas shumë kërkimesh, vetura e Besnikut është gjetur nga banoret e fshatit Muçibabë në rrugë dytësore të fshatit.
“Unë kam shkuar vetë personalisht me shiku në atë pjesë se mendojsha mos ka rrëshit diku dhe nuk e ka pa askush. Unë dola edhe i kontrollova ato rrugë vetëm kisha kujdes duke u bazuar në mënyrë vertikale mos me hy në zonën serbe. Aty hasa në disa banorë të asaj ane edhe ju tregova për rastin. Më premtuan që nëse e vërejnë automjetin me këto targa do të më informojnë. U ktheva në shtëpi dhe në pritje për çdo informatë nga të gjitha anët. Në mbrëmje diku rreth orës 23:00 më lajmëruan nga banorët se e kanë gjetur veturën dhe ma vërtetuan me foto. Unë menjëherë shkova në polici atë natë dhe ju tregova se vetura u gjend në këtë vend. Policia më thanë është pak vonë por nesër në mëngjes do i bëjmë kërkesë regjionit të Gjilanit me dalë në atë pikë. Të nesërmen më informuan se nuk kanë të drejtë aty mu afrua pasi nuk i përket territorit tonë. Ne kërkuam nga autoritet serbe e edhe ata na thanë që nuk munden sepse nuk është territori i tyre”, ka rrëfyer Vjollca Osmani për Telegrafin.
Ajo ka treguar se vetura e Besnikut, bashkëshortit të saj është gjetur në mënyrë të rregullt, dhe se kishte parë edhe ajo vetë.
Vjollca thotë se dyshon se bashkëshortin e saj e kanë arrestuar xhandarmëria serbe dhe se të njëjtin nuk po tregojnë.
“Autoritet serbe po na thonë se nëse e ka kaluar kufirin ilegalisht dhe është arrestuar rasti paraqitet në polici. Në atë territor ku është gjet vetura, aty afër ishin xhandarmëria serbe dhe unë dyshoj se e kanë arrestuar dhe nuk po lajmërojnë. Sipas qytetarëve të asaj pjese xhandarmëria serbe i arrestojnë dhe nuk i paraqesin por i mbajnë sa të ju duhen me marrë ose ndonjë informatë prej tyre ose mi përdorë për ndihmat e tyre që ju duhen”, ka shtuar Osmani.
Ajo në fund pati një kërkesë për autoritet shqiptare dhe serbe.
“Ne si familje kërkojmë nga të dy anët që të na konfirmojnë që Besniku është diku”, ka thënë Vjollca.
Ndryshe Komuna e Preshevës sot ka bërë të ditur se janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet shtetërore të Serbisë dhe të Kosovës për të kërkuar Besnik Osmanin.