Site icon PrishtinaPress

Fitime marramendëse, blogerët dhe personazhet e TikTok-ut në Shqipëri tashmë do të paguajnë taksa

Të ardhurat nga Tik-Tok, Instagram, platformat ndërkombëtare Booking dhe AirBnB apo bonuset dhe përfitimet e përmuajshme të dëmshmpërblimit nga vendimet gjyqësore për shkurtim të vendit të punës do të konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe do të jenë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat.

Si tatim mbi pagën do të jetë edhe 80% e komisionet ndaj agjencive të rekrutimit për marrjen e punonjësve të huaj. Të ardhurat nga punësimi sipas ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” do të tatohen sipas normave progresive nga 13 deri 23%.

Udhëzimi për zbatimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i botuar në Fletoren Zyrtare që hyn në fuqi nga 1 Janari 2024 parashikon se të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës apo ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit.

Nëse një punëmarrës, për shkaqet e mësipërme dhe bazuar në detyrimet e punëmarrësit sipas kushteve të kontratës, merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit ato do të tatohen sipas normave tatimore mbi pagat nëse pagesa e bonusit është e përmuajshme. Nëse pagesa kryhet në një shumë të vetme do të tatohet 15%.

Udhëzim ndër të tjera përcakton se për rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.

“Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro.

Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj. Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit”, citohet në shembullin e udhëzimit.

Sipas Udhëzimit do të konsiderohen të ardhura nga punësimi dhe të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësisht detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur.

“Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve”, përcaktohet në udhëzim.

Ndërsa për vendimet gjyqësore për dhënie kompensimi për të largimit nga puna nëse vendimi i Gjykatës i trajton si të ardhura në formën e kompensimit apo dëmshpërblimit, pa detyrimin për pagesën e kontributeve sipas muajve dhe viteve të kaluara, tatimi mbi të ardhurat llogaritet 15 % mbi pagesën bruto të përfituar nga punëmarrësi.

Po nëse vendimi i Gjykatës sipas udhëzimit shoqërohet me detyrimin e punëdhënësit, që krahas pagës, t’u paguajë punëmarrësit edhe kontributet e sigurimeve, të ardhurat e përfituara trajtohen si të ardhura nga punësimi të viteve për të cilat janë paguar dhe tatimi llogaritet si i tillë.

Nuk konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe nuk janë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat, përfitimet e të punësuarve për vlera ushqimore të konsumuara, pijeve (jo alkolike), pajisjet e punës apo trajtimi mjekësor./D.Azo

Udhëzimi

Fusha e zbatimit

2.1 Në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave rezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave mbarëbotërore të tyre, pra i të ardhurave të realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe atyre të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Për të ardhurat e realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kreditohet tatimi i huaj i paguar, deri në masën e detyrimit të pagueshëm në Shqipëri që u atribuohen atyre të ardhurave të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

2.2 Si parim i përgjithshëm, në përcaktimin e detyrimit tatimor të personave jorezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin këta persona fizikë apo entitete, zbatohet parimi i tatimit të të ardhurave me burim në Shqipëri, por edhe i të ardhurave të tyre të tatueshme në mbarë botën që i atribuohen një selie të përhershme në Shqipëri, apo edhe të ardhurave të tyre të tatueshme nga të gjitha burimet por që kanë një burim në Shqipëri, sipas nenit 4, “Burimi i të ardhurave”, në një vit të caktuar tatimor.

2.3 Ndërkohë, në zbatim të marrëveshjeve për eliminimin e tatimit të dyfishtë që Shqipëria ka nënshkruar me vendet e tjera dhe të cilat janë në fuqi, përcaktohen të ardhurat dhe normat e tatimit në lidhje me pjesën e tatimit që duhet të paguhet në Shqipëri, si dhe metodat e eliminimit të tatimit të dyfishtë nëpërmjet mekanizmit të përjashtimit të tatimit të mbajtur në burim apo kreditimit të tatimit të paguar në Shqipëri.

Përkufizimet
3.1 Termat e përdorur në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, kanë kuptimin që i është dhënë në nenin 3 të ligjit.

3.2 Nëse për ndonjë term të përdorur në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, legjislacionet e fushave të caktuara kanë përkufizim të ndryshëm, për nevoja të llogaritjes dhe pagesës së tatimit dhe të interpretimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, do të përdoren përkufizimet e dhëna në këtë ligj.

3.3 Për terma të përdorur në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, për të cilat nuk është dhënë ndonjë përkufizim, për nevoja interpretimi do të përdoren përkufizimet e dhëna për këta terma në legjislacionin e fushave të tjera.

3.4 Termat e përdorur dhe që lidhen me terminologjinë e taksimit ndërkombëtar do të kenë kuptimin e dhënë në ligj, në këtë udhëzim, si dhe në udhëzimet e tjera të ministrit të Financave dhe Ekonomisë në zbatim të këtij ligji. Në rastet kur legjislacioni i brendshëm në lidhje me tatimin mbi të ardhurat nuk trajton apo sqaron në mënyrë të detajuar terma, situata apo ngjarje të caktuara, referimi mund të bëhet në Komentarin e OECD-së për modelin e Marrëveshjeve.

Burimi i të ardhurave
4.1 Në zbatim të parimit të “rezidencës”, personat rezidentë tatimorë në Shqipëri, qofshin entitete (persona juridikë) apo persona fizikë (individë, të vetëpunësuar, tregtarë) paguajnë në Shqipëri tatim për të ardhurat e realizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, personat jorezidentë tatimorë qofshin entitete (persona juridikë) apo persona fizikë (individë, të vetëpunësuar, tregtarë), në zbatim të parimit të “burimit të të ardhurave”, paguajnë në Shqipëri tatim vetëm për të ardhurat e realizuara me burim në Republikën e Shqipërisë.

4.2 Në këtë kuptim, nisur nga parimi i burimit të të ardhurave, përcaktimi i llojeve të të ardhurave që mund të realizohen të Shqipëri, dhe që janë objekt i tatimit në Shqipëri, është i rëndësishëm me qëllim planifikimin tatimor nga rezidentët dhe jorezidentët tatimor.

4.3 Neni 4 i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ka përcaktuar një listë joshteruese të grupeve të të ardhurave të cilat rrjedhin/krijohen nga një burim në Republikën e Shqipërisë. Pra, të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë, që mund të jenë objekt i tatimit mbi të ardhurat, nuk kufizohen vetëm në grupin e të ardhurave të listuara në paragrafët “a” deri “k” të këtij neni, por mund të jenë dhe të ardhura në kategori të tjera të ardhurash me burim në Shqipëri. Në çdo rast, për kualifikimin e një të ardhure si pjesë e një kategorie të caktuar, analizohet natyra e saj dhe vlerësohet nëse është e ardhur e tatueshme.

4.4 Të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë mund të identifikohen nisur nga pagesat që bëjnë personat rezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë apo jorezidentë tatimorë në Shqipëri, pavarësisht nga detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur.

4.5 Të ardhurat me burim në Republikën e Shqipërisë mund të identifikohen, gjithashtu, edhe nisur nga pagesat që bëjnë personat jorezidentë tatimorë në Shqipëri për persona rezidentë tatimorë në Shqipëri pavarësi detyrimi i paguesit të të ardhurave për të mbajtur tatimin në burim apo detyrimit të përfituesit të të ardhurave për të deklaruar të ardhurën e marrë dhe për të paguar detyrimin tatimor në lidhje me këtë të ardhur. Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj. Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri të detyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve.

4.6 Të ardhurat në lidhje me punësimin dhe marrëdhëniet kontraktuale përfshijnë të ardhurat që paguhen nga një apo më shumë punëdhënës rezident tatimor në Shqipëri apo jorezident tatimor në Shqipëri.

4.7 Në rastet kur pagesat në lidhje me punësimin janë kryer nga një punëdhënës jorezident, dhe puna nuk është kryer në Shqipëri, punëmarrësi zbaton klauzolat e marrëveshjes në fuqi për eliminimin e tatimit të dyfishtë, nëse Shqipëria ka me atë vend, dhe në rast se nuk ka Marrëveshje të tillë në fuqi, dhe plotëson kushtet e individit rezident tatimor shqiptar, deklaron të ardhurat me burim jashtë territorit të Shqipërisë si të ardhura nga punësimi, dhe njëkohësisht krediton tatimin e huaj të paguar sipas dispozitave dhe kufizimeve të këtij ligji.

4.8 Në rastet kur pagesat në lidhje me punësimin e një individi janë kryer nga një punëdhënës jorezident, dhe puna është kryer në Shqipëri, punëmarrësi i cili plotëson kushtet e individit rezident tatimor në Shqipëri, deklaron të ardhurat nga kjo marrëdhënie punësimi, dhe njëkohësisht llogarit dhe paguan tatimin mbi të ardhurat nga punësimi sipas dispozitave të këtij ligji. Në rast se ka një Marrëveshje në fuqi për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e marrëveshjes.

4.9 Të ardhurat sipas paragrafit “c”, të cilat janë pagesa të një punëdhënësi rezident në lidhje me punësimin e një individi, edhe nëse puna kryhet jashtë Republikës së Shqipërisë, përfshijnë rastet kur një i punësuar i një punëdhënësi rezident shqiptar, ngarkohet të ushtrojë marrëdhënie punësimi në emër të punëdhënësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Tatimi mbahet në listëpagesë nga punëdhënësi rezident tatimor në Shqipëri. Në rast se ka një Marrëveshje në fuqi për shmangien e taksimit të dyfishtë, do të zbatohen dispozitat e marrëveshjes. Nëse në bazë të marrëveshjeve përkatëse të ardhurat nga punësimi tatohen vetëm në shtetin tjetër, punëdhënësi shqiptar i paraqit punëmarrësit në listëpagesë, por nuk përllogarit tatim mbi të ardhurat nga punësimi nëpërmjet listëpagesës.

4.10 Të ardhurat e parashikuara në paragrafin “dh” të nenit 4, parashikojnë si burim të ardhurash të tatueshme ato lloje të ardhurash që gjenerohen nga pasuria e paluajtshme dhe të drejtat mbi to, pasuria minerare mbi dhe nën tokësore e Republikës së Shqipërisë, përfshirë të drejtat për shfrytëzimin e tyre, si dhe të ardhurat që mund të gjenerohen nga pasuria e luajtshme e ndodhur në Republikën e Shqipërisë. Ky paragraf sqaron se të ardhurat, që rrjedhin nga të drejtat për shfrytëzimin e resurseve dhe të të mirave natyrore shqiptare, konsiderohen me burim në Shqipëri, janë të tatueshme në Shqipëri dhe do të trajtohen në të njëjtën mënyrë si të ardhurat e tjera nga pasuria e paluajtshme. Këto të drejta, në veçanti përfshijnë licencat dhe marrëveshjet që lejojnë nxjerrjen e mineraleve, apo të naftës dhe gazit. Gjithashtu, të ardhurat që sigurohen nga informacionet dhe të dhënat, që kanë të bëjnë me këto të drejta, janë objekt i parashikimeve të paragrafit “dh”. Shembull. Informacioni sizmik, informacione të tjera teknike dhe analiza që mund të disponohen në lidhje me ekzistencën e burimeve natyrore, p.sh., naftës, gazit, kromit etj., informacione të cilat transferohen te palët e treta.

4.11 Paragrafi “e’, trajton si të ardhura me burim në Shqipëri, të ardhurat nga tjetërsimi i të drejtave objekt i paragrafit “dh” të këtij neni. Nënpika “i” e paragrafit “e” mbulon veçanërisht përfitimet nga shitja e drejtpërdrejtë e të drejtave për të shfrytëzuar burimet natyrore, apo informacionit që u përket të drejtave të tilla. Nënpika “ii” e paragrafit “e” mbulon shitjet indirekte të aksioneve, të drejtave dhe informacionit të mbuluara nga paragrafi “dh”. Ajo bazohet në parimet e nenit 13(4) të modelit të tatimit mbi të ardhurat të Konventave të OECD së dhe të OKB-së. Fitimet nga shitja e aksioneve (ose interesave të ngjashëm) që rrjedhin nga pasuria, të drejtat ose informacionet e përmendura në paragrafin “dh” trajtohen si me burim në Shqipëri. Megjithatë, duhet që këtyre aksioneve të paktën 50 për qind e vlerës kontabël të tyre t’iu burojë nga pasuria, të drejtat ose informacioni në fjalë. Këto parashikime janë të rëndësishme kryesisht për shitblerjet e aksioneve ndërmjet personave jorezidentë në Shqipëri, në lidhje me pasuri dhe të drejta të vendosura në Shqipëri, ndërkohë që, rezidentët tatimorë në Shqipëri tatohen për të gjithë të ardhurën në baza mbarëbotërore.

4.12 Të ardhurat nga dividenti sipas germës “ë” të nenit 4 të ligjit nuk përfshijnë transferimin e fitimit pas tatimit të “selive të përhershme” të regjistruara në Republikën e Shqipërisë (degë të shoqërive jorezidente). Por në rast se një entitet jorezident shqiptar, ka krijuar në Republikën e Shqipërisë, njëkohësisht edhe një seli të përhershme (degë) edhe një entitet juridik sipas legjislacionit shqiptar, të cilat, nëpërmjet mekanizmit të transferimit të çmimit apo alokimit të të ardhurave dhe shpenzimeve te “selia e përhershme”, fitimi pas tatimit të së cilës nuk tatohet në Shqipëri, synojnë të minimizojnë fitimin e entitetit juridik të krijuar dhe të shmangin detyrimet tatimore, zbatohen dispozitat e nenit 71/2 të ligjit nr. 9920, datë 19.5 2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim alokimin e drejtë të shpenzimeve, të ardhurave, fitimit neto, tatimit dhe fitimit pas tatimit që është subjekt i shpërndarjes si divident, duke rikarakterizuar transaksionet ndërmjet personit juridik jorezident, selisë së përhershme në Shqipëri (degës) dhe personit juridik të krijuar në Shqipëri.

4.13 Të ardhurat e listuara në nenin 4, paragrafët “a” deri “k” janë kategori të ardhurash, të cilat potencialisht mund të jenë të tatueshme në Shqipëri për llogaritjen e detyrimit tatimor, ndërkohë që llojet konkrete të të ardhurave të tatueshme sipas kategorive (të ardhura nga punësimi, biznesi, kapitali, trashëgimitë, dhurimet, lojërat e fatit) dhe normat përkatëse tatimore, janë përcaktuar në mënyrë eksplicite në nenet, kapitujt dhe pjesët e tjera të ligjit

Të ardhurat personale të tatueshme

10.1 Të ardhura personale të tatueshme sipas ligjit, konsiderohen të ardhurat nga punësimi sipas nenit 12, të ardhurat nga biznesi sipas nenit 13 dhe të ardhurat nga investimet (të ardhurat nga kapitali) të listuara në nenin 15 të ligjit.

10.2 Të ardhurat personale janë të tatueshme pavarësisht faktit se paguhen në mjete monetare (lekë apo monedha të huaja) apo në natyrë. Në rastet kur të ardhurat personale janë realizuar në natyrë, ato vlerësohen me vlerën e tregut, konvertohen në lekë me kursin e ditës së blerjes, krijimit apo pagesës së tyre, duke llogaritur në këtë mënyrë bazën e tatimit mbi të cilën aplikohet tatimi sipas ligjit dhe detyrimi tatimor përkatës. Për përcaktimin e vlerës së tregut zbatohen metodat dhe praktika të njohura si, p.sh. përcaktimi i çmimit të mallit apo i shërbimit të marrë në natyrë duke iu referuar çmimeve për produktet të njëjta apo të ngjashme në treg. Si parim dhe kriter në vlerësimin e këtyre përfitimeve, duhet pasur parasysh që vlera e tatueshme si e ardhur nga punësimi për punëmarrësin, të mos jetë më e vogël se vlera e shpenzimit për personelin që përbën shpenzim të zbritshëm për punëdhënësin.

10.3 Llojet dhe kategoritë e të ardhurave në natyrë, por pa u kufizuar vetëm në to mund të përfshijnë: – pagesat në lidhje me shërbimet e kryera apo mallrat e furnizuara për të punësuarin, të vetëpunësuarit apo tregtarin jo në para, por në aktive të tjera të ndryshme nga paratë; – aktivet (mallra, inventar etj.) të dhuruara të punësuarit nga punëdhënësi; – qira të paguara të punëmarrësit nga punëdhënësi; – pagesa për trajtime estetike, operacione plastike etj. të kësaj natyre; – pagesa për trajtime mjekësore, kur nuk është parashikuar ndryshe në këtë ligj dhe udhëzim; – pagesa për udhëtime private, akomodim privat pushime etj. të kësaj natyre, të paguara në favor të të punësuarit nga punëdhënësi, por që nuk lidhen me marrëdhëniet e punës dhe me realizimin e detyrave (shërbimet jashtë qendrës së punës, transporti, dietat, akomodimi); – aktive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të përfituara nga punëmarrësi, si automjete, motomjete, mjete detare, shtëpi, truall, tokë.

10.4 Të ardhurat e paguara në natyrë duhet të shoqërohen me dokumentacionin justifikues që provon shpenzimin e bërë në lidhje me aktivin/shërbimin e paguar, si: – Faturat elektronike të paguara për trajtime estetike, mjekësore, udhëtime, akomodim, aktive të blera dhe të dhëna si shpërblim në natyrë. – Kontrata qiraje dhe dokumentacion pagesash për qira të paguar jo nga përfituesi i saj, jo më pak se nivelet e përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për nivelet minimale të qirasë. – Kostoja e argumentuar mallrash apo inventari të dhuruara punëmarrësit. – Vlera e tregut e mallrave/shërbimeve të dhëna në këmbim të mallrave/shërbimeve të tjera të marra.

10.5 Nuk konsiderohen përfitime në natyrë për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale, mallra të dhëna punëmarrësit dhe pagesa të bëra për llogari të tij, si vijon: – Në rastet kur punëdhënësi, për nevoja punë, pajis punëmarrësin me pajisje telefonike, kompjuter /laptop/tablet pune por që ngelen pjesë e inventarit të punëdhënësit, apo paguan për ta shpenzime telefonike, internet në funksion të detyrave të tyre si të punësuar, nuk konsiderohen përfitime në natyrë të punëmarrësit, dhe alokohen si shpenzime biznesi. – Në rastet e punëmarrësve të huaj, shpenzime të tilla si shpenzimet e lëvizjes dhe transferimit së një punonjësi të huaj, shpenzimet për aplikim vize etj. të kësaj natyre, do të konsiderohen shpenzime biznesi dhe jo përfitime personale. Shpenzime të kësaj natyre do të konsiderohen si përfitime personale vetëm nëse janë të parashikuara si të tilla në kontratat paraprake apo kontratat e punësimit me këtë kategori individësh, dhe në këtë situatë do të konsiderohen shpenzime të zbritshme për punëdhënësin.

Të ardhurat nga punësimi

12.1 Çdo përfitim i individit që ka lidhje me marrëdhëniet e punësimit, konsiderohet e ardhur nga punësimi dhe tatohet si e tillë, pavarësisht nëse është apo emërtohet pagë, rrogë, shpërblim, bonus, shtesë, kompensim etj. Parimi kryesor që një e ardhur të konsiderohet si e ardhur nga punësimi është që individi tatimpagues duhet të ndjekë udhëzimet e paguesit të të ardhurave, pra punëdhënësit, apo personit (edhe ky në rolin e punëdhënësit) që i ka caktuar një detyrë / funksion, në mënyrë që të marrë pagën / rrogën / shpërblimin/bonusin/kompensimin apo shtesën, apo elemente të tjera të ngjashme me këto. Brenda konceptit të të ardhurave nga punësimi janë paga bazë, për kohë punë apo sasi prodhimi, çdo shtesë mbi pagën bazë e përhershme, si shtesat për pozicion, vjetërsi, vështirësi, largësi vendbanimi, natyrë të veçantë pune apo shërbimi, si dhe shtesa të tjera page e shpërblimi të tjera. Po kështu, edhe të ardhurat që merr individi në formë shpërblimi nga fondi i veçantë, apo nga fonde të tjera të krijuara me akte të ndryshme ligjore apo statutore të shoqërive, si paga e 13-të, apo pagesa të ndryshme të kësaj natyre, konsiderohen të ardhura nga punësimi dhe konsolidohen në bazë mujore për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor.

12.2 Edhe nëse pagesat bëhen për marrëdhënie punësimi apo detyrash që do të konkretizohen në të ardhmen, apo për marrëdhënie punësimi apo detyrash që kanë ndodhur në të kaluarën, përfituesi konsiderohet se ka marrë të ardhura nga punësimi dhe do të tatohet në bazë të rregullave të tatimit të të ardhurave nga punësimi në momentin e deklarimit të listëpagesës për këto të ardhura nga punëdhënësi.

12.3 Natyrën e të ardhurave nga punësimi kanë edhe shpërblimet e drejtorëve, shpërblimet si anëtar i bordit të drejtorëve ose i organit ligjor të një shoqërie, si dhe shpërblimet për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues nga të punësuarit e vetë entitetit pagues.

12.4 Në rastet kur pagesa të tilla, të cilat mund të jenë periodike, mujore/tremujore/vjetore, sipas rastit, merren në vendin e punësimit të vazhdueshëm të individit, paguesi i tyre, pra agjenti i listëpagesës konsolidon të gjitha të ardhurat në bazë mujore dhe mban tatimin sipas normave ligjore në fuqi.

12.5 Në rastet kur pagesa të tilla, të cilat mund të jenë periodike, mujore/tremujore/vjetore, sipas rastit, merren jo në vendin e punësimit, por në një entitet të ndryshëm me të cilin individi përfitues nuk ka marrëdhënie punësimi, entiteti pagues mban tatimin 15%, sipas përcaktimit në nenin 65, paragrafi 1, germa “b” e ligjit.

12.6 Edhe në rastet e transferimit apo të huazimit të punonjësve nga një entitet, të ardhurat individuale të përfituara nga punonjësit do të trajtohen si të ardhura nga punësimi dhe do të tatohen si të tilla. Nëse ortaku në një shoqëri bazuar në Kodin e Punës konsiderohet i punësuar dhe merr pagë periodike mujore, këto të ardhura konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe tatohen në listëpagesë sipas tarifave progresive. Nëse ortaku për ndonjë shërbim apo punë merr të ardhura të cilat nuk kanë natyrën e të ardhurës nga punësimi paguan tatim 15% mbi të ardhurën bruto, përveç rasteve kur merr të ardhurat nga dividendi apo ndarjet e fitimit, të cilat tatohen sipas normës së parashikuar në ligj.

12.7 Germa “ç”, e paragrafit 1, të nenit 12 është “klauzolë antishmangie” dhe synon të mbrojë bazën e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, nëpërmjet kalimit të tatimpaguesit nga statusi “i punësuar” në detyrimit tatimor, sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari që plotëson këto kritere, në deklaratën tatimore vjetore të tij. Në rastet kur të ardhurat që përfitohen sipas këtij paragrafi, paguhen rregullisht çdo muaj, llogaritja e tatimit nga vetë i punësuari bëhet në bazë mujore. Nëse kontratat ndërmjet të vetëpunësuarit dhe të porositësit të shërbimit janë vjetore, por pagesa bëhet me këste, p.sh. dy apo tri herë në vit, e ardhura e përfituar shtrihet për të gjitha periudhat tatimore të cilave u takon (muajt) dhe tatimi llogaritet sipas shumës së të ardhurës së çdo muaji. Ndërkohë për efekt të deklarimit të të ardhurave nga biznesi, kjo e ardhur do të deklarohet zero në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi, duke qenë se kjo e ardhur konsiderohet e ardhur nga punësimi. Rregulla sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm, apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.

12.8 Nëse një i vetëpunësuar, 80 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90 % të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zbritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën. Për qëllime të zbatimit të kësaj pike, llogaritja e detyrimit tatimor, sipas këtij paragrafi, do të bëhet nga vetë i vetëpunësuari që plotëson këto kritere, në deklaratën tatimore vjetore të tij. Në rastet kur të ardhurat që përfitohen sipas këtij paragrafi, paguhen rregullisht çdo muaj, llogaritja e tatimit nga vetë i punësuari bëhet në bazë mujore. Nëse kontratat ndërmjet të vetëpunësuarit dhe të porositësit të shërbimit janë vjetore, por pagesa bëhet me këste, p.sh. dy apo tri herë në vit, e ardhura e përfituar shtrihet për të gjitha periudhat tatimore të cilave u takon (muajt) dhe tatimi llogaritet sipas shumës së të ardhurës së çdo muaji. Ndërkohë për efekt të deklarimit të të ardhurave nga biznesi, kjo e ardhur do të deklarohet zero në deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi, duke qenë se kjo e ardhur konsiderohet e ardhur nga punësimi. Rregulla sipas këtij paragrafi zbatohet dhe nëse i vetëpunësuari ka marrë ndonjë pagesë edhe nga ndonjë klient jorezident tatimor shqiptar. Ky paragraf zbatohet pavarësisht nëse i vetëpunësuari ofron shërbime i vetëm, apo ka edhe punonjës të papaguar të familjes, apo ka edhe të punësuar.

12.9 Në rastet kur i vetëpunësuari, rezident tatimor me seli të përhershme në Shqipëri, siguron 100 për qind të shërbimeve vetëm për persona jorezidentë, të cilët nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri në formën, degës apo zyrës së përfaqësimit, germa “ç” e paragrafit 1 të nenit 12 nuk zbatohet. Në këto raste, i vetëpunësuari llogarit dhe paguan tatimin sipas nenit 24, paragrafi 2 i ligjit.

12.10 Të ardhurat nga punësimi, gjithashtu, përfshijnë pagesat e menjëhershme që jepen në rastet e shkurtimit të vendit të punës, humbjes së vendit të punës ose ndërprerjen e marrëdhënieve të punësimit. Nëse një punëmarrës, për shkaqet e mësipërme dhe bazuar në detyrimet e punëmarrësit sipas kushteve të kontratës, merr një të ardhur nga ish-punëdhënësi i tij në formën e bonusit për shkurtimin e vendit të punës, apo mbylljes së vendit të punës, apo ndërprerjes së tyre për shkaqe nga më të ndryshmet, të ardhurat e paguara do të konsiderohen: a) të ardhura të muajit kur paguhen dhe do tatohen sipas normave tatimore të tatimit mbi pagat nëse pagesa e këtij bonusi bëhet çdo muaj, b) tatohen sipas germës “b”, të paragrafit 1, të nenit 65, me 15% të shumës së përfituar, nëse paguhen në një shumë të vetme, pasi konsiderohet kompensim dhe jo e ardhur nga punësimi statusin “i vetëpunësuar”, me qëllimin e vetëm të përfitimit të avantazheve fiskale duke aplikuar norma më favorizuese tatimi.

12.11 Nisur nga parimi që të ardhurat nga punësimi tatohen në vendin e punësimit, edhe në rastet kur fuqia punëtore ofrohet nga një agjenci punësimi e cila nuk është rezidente tatimore shqiptare, si p.sh. rastet kur agjenci të huaja i ofrojnë entiteteve juridike shqiptare fuqi punëtore nga jashtë, por pagesa e fuqisë punëtore i bëhet agjencisë së huaj sipas kontratës, tatimi që llogaritet dhe mbahet si tatim mbi pagën do të jetë jo më pak se 80% e tarifës totale që është paguar nga entiteti shqiptar për agjencinë e huaj të punësimit.

Shembull.

Një kompani ndërtimi shqiptare ka kërkuar nga një agjenci punësimi kineze që ta furnizojë me 50 punonjës ndërtimi, të cilët do të punojnë për një periudhë 6-mujore. Pagesa totale e cila përfshin koston e punës dhe komisionin e agjencisë është 380 mijë euro. Për nevoja të zbatimi të paragrafit 3 të nenit 12,të ligjit, fondi i pagave bruto supozohet të jetë 380.000 x 80 % = 304.000 euro. Secili punonjës supozohet të ketë përfituar mesatarisht: 304.000 : 6 muaj : 50 punonjës = 1.013 euro në muaj. Kjo do të jetë baza mbi të cilën do të llogaritet detyrimi tatimor për çdo punonjës, ndërkohë që detyrimin për deklarimin dhe pagesën e tatimit e ka kompania shqiptare e ndërtimit.

12.12 Nuk konsiderohen si të ardhura nga punësimi dhe nuk janë pjesë e bazës tatimore mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagat, përfitimet e mëposhtme të të punësuarve: a) Vlera e ushqimeve të konsumuara, pijeve (jo alkolike), pajisjet e punës, trajtimi mjekësor dhe përfitime të tjera të parashikuara, në ambientet ku operohet nga ose në emër të një punëdhënësi, dhe që janë të disponueshme për të gjithë të punësuarit në kushte të ngjashme dhe që krijojnë kushte më të mira pune për të punësuarit. Përfitimet e të punësuarve, sipas këtij paragrafi, konsiderohen jashtë bazës së tatimit, vetëm të rastet kur ofrohen si të tilla në natyrë nga punëdhënësi, qoftë për mallra apo shërbime, pra: i. ose kur ato organizohen dhe ofrohen nga vetë punëdhënësi, p.sh. ushqimi dhe pijet joalkoolike në mensën e entitetit, kabineti i mjekut apo dentistit në entitet; ii. ose kur punëdhënësi i merr këto shërbime nga të tretët dhe punonjësit e tij marrin ushqim në një restorant të kontraktuar, apo kryejnë ekzaminime apo vizita mjekësore në një klinike (pa përfshirë pagesat për trajtime estetike, operacione plastike etj. të kësaj natyre). Në rastet kur punëdhënësi jep pagesa në mjete monetare të konsideruara si pagesa për trajtim ushqimor, mjekësor, blerje pajisjesh, si uniforma etj., pagesa të tilla të përfituara të mjete monetare nga punëmarrësi do të konsiderohen pjesë e të ardhurave personale të tij nga paga dhe do të tatohen si të tilla. b) Rimbursimet nga punëdhënësi i shpenzimeve të udhëtimit, akomodimit dhe dietave. Përfitime të tilla duhet të justifikohen me dokumentacion, për të provuar se pagesa të tilla si përfitime të punëmarrësit, janë pjesë e përmbushjes së detyrave të tyre sipas kontratës, dhe janë kryer si pjesë e veprimtarisë ekonomike dhe për qëllime të menaxhimit të entitetit. Dokumentacioni justifikues duhet të përfshijë edhe: – Autorizimin me shkrim të nivelit përkatës të menaxhimit për shërbimet për nevoja të punës. Menaxhimentit, duke treguar dhe arsyetuar qëllimin e udhëtimit për nevoja të punës, të lidhur me funksionet që kryen përfituesi; – Faturat e paguara si dokumente justifikuese, biletat e transportit, faturat e akomodimit apo dokumente të tjera justifikuese, të lëshuara në emër të shoqërisë ku individi është i punësuar, për sa lidhet me shpenzime të akomodimit dhe udhëtimit. c) Kompensimet në formë ndihme për punonjësit në rastet e sëmundjeve, fatkeqësive apo vështirësive të jetesës që kanë, por brenda parashikimeve në legjislacionin përkatës në fuqi kur ka përcaktime të tilla. Pagesa dhe përfitime të tilla duhet të argumentohen me dokumentacion (p.sh. ndihmë në rastin e vdekjes së familjarëve, pagesa për mjekime etj.), por shuma totale e përfitimit nuk duhet të kalojë 20% të të ardhurave vjetore nga punësimi të punonjësit përfitues të shpërblimit/ shpërblimeve. d) Në rastet kur punëdhënësit sigurojnë të punësuarit në shoqëritë e sigurimit në lidhje me jetën, shëndetin dhe aksidentet në punë, pagesa të tilla në formën e kontributit për sigurimin e jetës, shëndetit dhe aksidenteve në punë, të bëra nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit nuk konsiderohen pjesë e pagës mbi të cilën llogaritet tatimi mbi pagë. e) Në zbatim të konventave apo të marrëveshjeve ndërkombëtare të pranuara dhe nënshkruara nga Republika e Shqipërisë apo qeveria shqiptare, individët të cilët megjithëse mund të plotësojnë kriterin e rezidentit tatimor shqiptar, por që gëzojnë statusin diplomatik dhe janë pjesë e misioneve të huaja diplomatike apo organizmave dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat që rrjedhin nga pagat dhe kompensimet për marrëdhëniet e punës së tyre, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë.

12.13 Në rastet kur një individ, merr të ardhura në formën e pagave, kompensimeve, dëmshpërblimeve etj., por që lidhen me punësimin e tij të kaluar dhe pagesa bëhet në një shumë të vetme apo në disa këste, të ardhurat e përfituara trajtohen;

12.13.1 Nëse vendimi i Gjykatës shoqërohet me detyrimin e punëdhënësit, që krahas pagës, t’u paguajë punëmarrësit edhe kontributet e sigurimeve, të ardhurat e përfituara trajtohen si të ardhura nga punësimi të viteve për të cilat janë paguar dhe tatimi llogaritet si i tillë.

12.13.2 Nëse vendimi i Gjykatës i trajton si të ardhura në formën e kompensimit apo dëmshpërblimit, pa detyrimin për pagesën e kontributeve sipas muajve dhe viteve të kaluara, tatimi mbi të ardhurat llogaritet 15 % mbi pagesën bruto të përfituar nga punëmarrësi.

Shembull 1.

Nëse një individ është larguar nga puna nga punëdhënësi në datën 1 janar 2024, por për shkak të ndjekjes gjyqësore të çështjes ka një vendim të formës së prerë të datës 31 dhjetor 2029 për pagimin e pagave nga data e largimit nga puna deri në datën e vendimit të gjykatës (vendim i shoqëruar apo jo me detyrimin e kthimit në vendin e punës), punëdhënësi i llogarit individit tatimin mbi pagën për çdo muaj, nga data e largimit deri në datën e vendimit, pavarësisht mënyrës së pagesës që aplikohet, në një shumë të vetme, apo në këste. Në këto raste, kur për shkak të zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si rezultat i pasqyrimit të pagave në listëpagesa shtesë për periudha të kaluara, gjobat dhe interesat që gjenerohen nga sistemi, hiqen nga administrata tatimore, pasi, së pari sistemi është dizenjuar për të llogaritur gjoba dhe interesa konform dispozitave ligjore për deklarim dhe pagesë të vonuar në situata normale të deklarimit dhe pagesës, ndërkohë që rastet në fjalë nuk lidhen me shkelje të tatimpaguesit punëdhënës por me zbatim të vendimit të gjykatës.

Shembull 2.

Nëse një individ është larguar nga puna nga punëdhënësi në datën 1 janar 2024, por për shkak të ndjekjes gjyqësore të çështjes ka një vendim të formës së prerë të datës 31 dhjetor 2029 për pagimin e një dëmshpërblimi nga data e largimit nga puna deri në datën e vendimit të gjykatës, apo për një periudhë disavjeçare apo disamujore (vendim i shoqëruar apo jo me detyrimin e kthimit në vendin e punës), punëdhënësi i llogarit individit tatimin mbi këtë dëmshpërblim në masën 15 % mbi çdo pagesë që merret, qoftë në mënyrë të menjëhershme, qoftë me këste.

Të ardhurat nga biznesi
13.1 Në kuptim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ardhurat nga biznesi i personave fizikë ku përfshihen tregtarët dhe të vetëpunësuarit, përfshijnë, por pa u kufizuar vetëm në to, të ardhurat e listuara në germat “a” deri “gj” të nenit 13 të ligjit. Të ardhura të tilla do të trajtohen si të ardhura biznesi, nëse më parë nuk janë trajtuar si të ardhura nga punësimi, p.sh. nëse jemi në kushtet e germës “ç” të paragrafit 1 të nenit 12, apo të germës “b”, paragrafi 1 i nenit 65: a) Të ardhurat e një personi fizik tregtar apo i vetëpunësuar nga çdo aktivitet biznesi i tij, i çfarëdolloji apo natyre; b) Të ardhurat që personi fizik tregtar apo personi fizik i vetëpunësuar merr në formën e interesit, dividentit, ndarjes së fitimit, apo çdo honorari, por vetëm për rastet kur këto të ardhura janë pjesë e biznesit që ushtron personi fizik tregtar apo i vetëpunësuar dhe jo pjesë e investimeve individuale të tij.

Shembull.

Nëse një tatimpagues i vetëpunësuar merr interesa nga llogaritë e tij të biznesit, apo ndonjë ndarje fitimi nga kuota që mund të ketë në një biznes tjetër, kuotë kjo që ka pasur si burim financimi aktivet e biznesit të të vetëpunësuarit dhe jo llogari individuale të tij, këto kategori të ardhurash do të trajtohen si të ardhura të biznesit; c) Të ardhurat nga shitja e titujve, të cilat janë efektivisht të lidhura dhe pjesë e biznesit të tij; d) Të ardhurat nga dhënia me qira e një biznesi, pavarësisht se qiradhënia i përfshin të gjitha apo një pjesë të aktiveve të trupëzuara apo të patrupëzuara.

Shembull.

Një tatimpagues, person fizik tregtar, apartamentin e tij në katin e parë e ka shndërruar në dyqan, e ka regjistruar në Agjencinë e Kadastrës si të tillë dhe e ka futur si kontribut, pjesë të aktiveve të biznesit që ushtron. Nëse ky tregtar, një pjesë të dyqanit e jep me qira për një tregtar apo të vetëpunësuar tjetër, të ardhurat nga qiraja do të konsiderohen pjesë e të ardhurave të Biznesit të tij. Por nëse ai jep me qira një apartament tjetër që ka në pronësi si individ, të ardhurat që siguron nga kjo qiradhënie konsiderohen të ardhura individuale nga qiradhënia, tatohen sit ë tilla dhe nuk kanë lidhje me biznesin e tregtarit;

e) Të ardhurat nga shitja e çdo lloj aktivi dhe detyrimi të biznesit, përfshirë edhe shitjen e të gjithë biznesit. Nëse aktivet janë regjistruar si pjesë e biznesit, të ardhurat nga shitja e tyre do të jenë të ardhura biznesore. Nëse shitet i gjithë biznesi, përfshire aktivet e trupëzuara, por edhe ato të patrupëzuara, e gjithë shuma e arkëtuar nga shitja është e ardhur e tatueshme biznesore, pavarësisht se shuma e arkëtuar mund të jetë më e lartë (për shkak të listës së klientëve, emrit të mirë, pozicionit etj.) se vlera e aktiveve të shitura në kuadrin e biznesit. f) Fitimi kapital i realizuar nga transferimi i aktiveve dhe pasiveve të biznesit në një riorganizim biznesi, siç përcaktohet në nenin 46 “Rregullat e zbatueshme mbi riorganizimet e biznesit” të këtij ligji; g) Dhuratat, grantet apo subvencionet e marra nga një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, të cilat jepen për biznesin e tij dhe pavarësisht kush është dhuruesi apo subvencionuesi. Të hyra të tilla në llogaritë e biznesit, konsiderohen të ardhura biznesore për efekt tatimi. Nëse financimet e veprimtarisë ekonomike të personit fizik qoftë tregtar apo i vetëpunësuar, bëhen nga individi i regjistruar si person fizik që zotëron këtë biznes, shuma e deklaruar si e financuar në formën e huas nga pronari duhet të argumentohet si burim nga të ardhura personale të individit, të cilat janë taksuar më parë në nivel biznesi person fizik apo në nivel dividenti nga ndonjë person juridik, apo të taksuara si të ardhura personale nga paga, interesit, qiratë, e drejta e autorit etj. të ardhura të tatuara më parë. Nëse këto financime të biznesit në formën e huas nga pronari paraqiten në pasqyrat financiare të subjektit, veprimtaria e subjektit dhe huaja e pronarit duhet të jetë subjekt i kontrollit të thelluar të veprimtarisë se personit fizik por edhe të individit që është regjistruar si person fizik, në lidhje me të ardhurat, shpenzimet, çmimet e shitjes dhe çdo element tjetër i rëndësishëm që impakton bazën e TVSH-së, të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm. h) Çdo lloj tarife shërbimi që faturon personi fizik për të tretë në kuadrin e biznesit të tij. i) Fitimet kapitale nga rivlerësimi i aktiveve të biznesit kur këto aktive janë dhënë si kontribut në natyrë në kapitalin e një kompanie, qoftë në themelimin e saj apo rritjen e kapitalit; i. Nëse aktivi është i rivlerësuar sipas dispozitave të ligjeve për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, dhe tatimi në lidhje me këto rivlerësime është paguar, personi fizik nuk e llogarit shumën e rivlerësuar të asetit si të ardhur nga biznesi, por njëkohësisht nuk e llogarit atë si shpenzim biznesi/nuk e amortizon në koston e mallrave dhe shërbimeve të shitura. Ndërkohë, nëse ky aktiv i rivlerësuar do shitet, fitimi kapital nga shitja e aktivit do të llogaritet si diferencë ndërmjet çmimit të shitjes dhe vlerës së rivlerësuar. Në rastet kur rivlerësimi i aktivit është bërë jo në zbatim të ndonjë ligji specifik për rivlerësimin e pasurisë, por nga vetë subjekti, vlera e rivlerësuar nuk merret në konsideratë as si e ardhura as si shpenzim biznesi dhe njëkohësisht nuk merret në konsideratë si vlerë referuese edhe për llogaritjen e fitimit kapital në rastin e shitjes. ii. Nëse aseti është rivlerësuar para futjes si aktiv i biznesit, dhe ky rivlerësim nuk është bërë në kuadrin e ligjeve të miratuara në lidhje me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, shuma e rivlerësuar pasqyrohet si e ardhur biznesi dhe njëkohësisht amortizohet çdo vit në shpenzimet e biznesit.
Shembull.

Nëse vlera fillestare e një magazine ku do të zhvillohet veprimtaria ekonomike e personit fizik është 1 milion lekë dhe personi fizik, para futjes së magazinës si aset biznesi e rivlerëson në 5 milionë lekë, diferenca 5-1=4 milionë lekë do të konsiderohet si e ardhur biznesi, dhe njëkohësisht do të amortizohet si shpenzim biznesi. E ardhura dhe shpenzimi për vlerën e rivlerësuar 4 milionë lekë që do të pasqyrohen në llogaritë e të ardhurave dhe shpenzimeve duhet të jenë në shuma të barabarta çdo vit, përkatësisht 5% e bazës së llogaritjes, pra e njehsuar me normën vjetore të amortizimit të këtij aseti.

j) Të ardhurat nga nxjerrja/përfitimi i mjeteve virtuale, si dhe të ardhurat nga transaksionet me mjete virtuale të cilat janë efektivisht të lidhura me biznesin e tatimpaguesit. 13.2 Të ardhurat vjetore të tatueshme nga biznesi, përcaktohen si shuma e përgjithshme e të ardhurave të biznesit, pakësuar me shpenzimet përkatëse të dokumentuara dhe të kryera me qëllim fitimin, ruajtjen dhe sigurimin e të ardhurave. Të ardhurat vjetore të tatueshme të biznesit dhe shpenzimet e zbritshme të llogariten në përputhje me kreun 4 të këtij ligji.
Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar

14.1 Për nevoja të deklarimit të të ardhurave tatimore nga biznesi, tatimpaguesi që ka statusin e personit fizik, tregtar apo i vetëpunësuar mund të përdorë: a) Formën e plotë të deklarimit, ku ai duhet të evidentojë çdo shpenzim të zbritshëm biznesi dhe t’i deklarojë ato sipas kërkesave të ligjit, duke llogaritur të ardhurat bruto nga shitja e mallrave dhe shërbimeve, shpenzimet e zbritshme, të ardhurën neto nga biznesi të tatueshme dhe tatimin mbi të ardhurat të llogaritur. Në këtë rast, tatimpaguesi do të mbajë regjistrime të plota në lidhje me shpenzimet e kryera dhe të pasqyruara në faturat elektronike të lëshuara nga furnizuesit e mallrave dhe të shërbimeve, regjistrime mbi llogaritjet e amortizimit të aseteve sipas grupeve nëse ka, regjistrime për interesa të paguar dhe shpenzime të tjera të zbritshme. Ndërkohë të ardhurat bruto nga biznesi duhet të pasqyrohen nëpërmjet faturave elektronike për shitjet biznes me biznes dhe faturave të fiskalizuara për shitjet biznes me konsumator. b) Me dëshirën e tij, tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat nga biznesi, por i cili ka realizuar qarkullim, pra të ardhura bruto nga biznesi sipas përcaktimeve për të ardhurat në nenin 13 të ligjit, jo më shumë se 10.000.000 lekë për vitin tatimor, mund të zgjedhë të zbatojë formën e shkurtuar të deklarimit të të ardhurave të tatueshme, sipas nenit 14 të ligjit, duke pasqyruar si shpenzime, të cilat zbriten nga e ardhura, shumën e supozuar në % të qarkullimit (të ardhurës bruto), sipas paragrafit 1 të nenit 14 për çdo kategori biznesi. Ndërkohë, të ardhurat bruto nga biznesi duhet të argumentohen dhe pasqyrohen nëpërmjet faturave elektronike për shitjet biznes me biznes dhe faturave të pajisjeve fiskale për shitjet biznes me konsumator. Në qoftë se veprimtaria ekonomike e tatimpaguesit nuk përfshin një vit të plotë, për efekt të vlerësimit nëse subjekti mund të zgjedhë apo jo të zbatojë regjimin e veçantë për deklarimin e shpenzimeve në një shumë të vetme të supozuar, konvertohet e ardhura bruto e periudhës në të ardhur vjetore. Për të bërë konvertimin, totalin e të ardhurës për vitin tatimor e pjesëtojmë me numrin e muajve që ka ushtruar veprimtarinë tatimpaguesi gjatë këtij viti tatimor dhe më pas e shumëzojmë me 12. Në rast se e ardhura e konvertuar në të ardhura bruto vjetore, rezulton deri në 10.000.000 lekë, atëherë tatimpaguesi ka të drejtën të zgjedhë të zbatojë metodën e supozuar të shpenzimeve në një shumë të vetme si përqindje e të ardhurave bruto të periudhës. Pavarësisht se tatimpaguesi mund të zgjedhë metodën e supozuar të shpenzimeve, ai është i detyruar të zbatojë detyrimet që ka në kuadrin e legjislacionit të fiskalizimit për pranimin e faturave të blerjes së mallrave dhe shërbimeve nga furnizuesit e tij me mallra dhe shërbime, dokumentimin e çdo shpenzimi tjetër biznesi, si dhe të evidentojë shitjet e mallrave dhe shërbimeve bazuar në kërkesat e këtij ligji. Gjithashtu, ai është i detyruar të respektojë afatet e ruajtjes së dokumentacionit tatimor, si për blerjet, ashtu edhe për shitjet, sipas dispozitave ligjore në fuqi, si dhe çdo detyrim tjetër ligjor në lidhje me dhënien e informacionit dhe të dhënave për nevoja verifikimi dhe kontrolli tatimor, sipas procedurave dhe detyrimeve të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet nënligjore në zbatim të tyre.

14.2 Deklarimi i të ardhurave të tatueshme qoftë me metodën e evidentimit të plotë të shpenzimeve, qoftë me metodën e supozuar të tyre, bëhet nëpërmjet deklaratës së të ardhurave që është pjesë e këtij udhëzimi. 14.3 Personi fizik, tregtar apo i vetëpunësuar, mund të zgjedhë metodën sipas regjimit të veçantë me nivel shpenzimesh të supozuara, ose të zbatojë zbritjen e shpenzimeve bazuar në dokumentacion dhe fatura, me kusht që kalimi nga një metodë në tjetrën të mos ndodhë më shpesh se njëherë në tre vjet. Pra nëse një person fizik zgjedh të përdorë regjimin e veçantë, ai do ta përdorë atë për të paktën 3 periudha tatimore. Në rast se në fund të periudhës 3-vjeçare, personi fizik tregtar/i vetëpunësuar zgjedh të mbajë dokumentacionin për evidentimin e shpenzimeve, ai bën njoftim pranë drejtorisë rajonale ku është i regjistruar për ndryshimin e regjimit të mbajtjes së dokumenteve të nevojshme për efekt të njohjes së shpenzimeve tatimore.

14.4 Tatimpaguesi, i cili ka zbritur shpenzimet në një shumë të vetme sipas regjimit të veçantë, nuk lejohet të kërkojë zbritje apo kompensim tjetër përveç kompensimit personal, sipas nenit 22 “Zbritjet nga baza tatimore” të këtij ligji.

/Monitor

Exit mobile version