Gazeta e famshme britanike “Financial Times” ka shkruar sërish për Kosovën. Por, kësaj here më specifikisht për peizazhin politik te serbët në veri të vendit dhe për humbjen e fuqisë nga Lista Serbe. Çka saktë thuhet aty?
Artikulli në fjalë është titulluar “Radikalët serbë po rikthehen në veri të Kosovës” (ang. “Serb hardliners make a comeback in northern Kosovo”)
Aty tregohet për tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe për një pasojë të rëndësishme që ka shkaktuar kjo në veri të vendit: rritjen e nacionalizmit.
“Nacionalistët serbë po rikthehen në veri të Kosovës pas rritjes së pakënaqësisë me liderët në Prishtinë dhe Beograd – potencialisht duke minuar bisedimet diplomatike dhe duke rritur rreziqet e sigurisë në Ballkanin perëndimor,” – shkruhet në këtë artikull.
Financial Times shkruan tutje se serbët e Kosovës po e shohin si të paaftë Vuçiqin për t’i mbrojtur interesat e tyre… dhe e thotë një gjë të tillë me nënkuptimin se nuk është domosdo gjë e mirë për Kosovën.
“…serbët në Kosovë gjithnjë e më shumë po e shohin Vuçiqin – dhe partinë politike të mbështetur nga Beogradi, Listën Serbe – si të paaftë për t’i mbrojtur interesat e tyre.”
Aty citohen disa personazhe periferike të politikës serbe në veri, përfshirë edhe një profesoreshë serbe që po protestonte në Leposaviq por edhe një politikan i Listës Serbe.
Në tjetrën anë, merret edhe qëndrimi i znj. Milica Andriq Rakiq, aktiviste e shoqërisë civile.
“Vuçiqi ka ndikim vetëm te Lista Serbe por ata nuk kanë autoritet, nuk kanë figurë karizmatike për ta udhëhequr komunitetin në një moment kritik kur frustrimi është kaq i lartë.” – kishte thënë ajo.
Financial Times shkruan se kanë dalë më shumë sfidues politikë të Listës Serbe, “veçanërisht nga ana nacionaliste.”
Ndërkohë, në fund të artikullit citohet edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton në fjalët që i ka thënë kësaj gazete për situatën.
“Është keq për demokracinë në kohë afatshkurtër dhe për jetën e përditshme të njerëzve atje. Dhe (kjo) po i mban shtetet jo vetëm në ngërç por edhe duke e ftuar secilin të bëhet më i frustruar dhe të bëjë gjëra vetëshkatërruese.” – raportohet të ketë thënë Bill Clinton.
Kujtojmë se edhe liderët qeveritarë si Besnik Bislimi kishin pretenduar që Lista Serbe po del keq në sondazhe dhe prandaj edhe nuk po merr pjesë në zgjedhjet që po organizohen në katër komunat veriore me shumicë serbe.
Protestat nga serbët lokalë të vendit kishin nisur më 26 maj. Në atë kohë, figurat kryesore të Listës Serbe kishin udhëtuar në Beograd për të marrë pjesë në një tubim të presidentit serb Vuçiq.