Site icon PrishtinaPress

Filmi “Home” nga More Raça me premierë botërore në Raindance Film Festival

Pas sukseseve që pati regjisorja e re More Raça me filmin ‘Amel’, filmi i ri i saj i metrazhit të shkurtër ‘Home’ do ta ketë premierën botërore në edicionin e 24-të festivalit të madh Raindance Film Festival në konkurrencën zyrtare, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës.

‘Home’ me skenar dhe regji nga More Raça dhe producent Sunaj Raça është pranuar në festivalin më të madh të filmit të pavarur në Britaninë e Madhe, Raindance Film Festival, i cili do të mbahet nga 21 shtator deri me 2 tetor 2016 në Londër.
Raindance Film Festival është festival i kategorisë ‘A’ dhe një nga festivalet më të mëdha në Evropë. Këtë vit kanë konkuruar mbi 6000 filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Festivali Raindance është zyrtarisht i njohur nga Academy of Motion Picture Arts and Science dhe nga British Academy of Film and Television. Filmat e shkurtër të zgjedhur nga juria e festivalit do të kualifikohen për nominim për Oscar® dhe Bafta.
Revista e njohur e filmit Variety, festivalin e filmit Raindance e paraqet si një nga festivalet e filmit më të mëdha në botë.
Filmi ‘Home’ është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe paraqet konfliktin për çështje trashëgimie në mes vëllait dhe motrës, në mes të drejtës tradicionale dhe asaj ligjore.
Në këtë film luajnë: Xhejlane Tërbunja, Sunaj Raça, Kumrije Hoxha, Bekim Mulaj, Florentina Ademi, Veton Osmani, Albulena Bardhi, Mirsad Ferati, Don Raça, Gani Morina.
‘Home’ është prodhim i shtëpisë filmike ‘Arena’ dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Exit mobile version