Ka filluar një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar.
Për dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndarëse me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.
Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.
Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtij takimi të sotëm.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re. /REL/