Në Gjykatën Speciale, ka filluar seanca ku do të shpallet vendimi për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.
Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.
Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.
Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.
Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.
Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.
Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.
Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës./Prishtinapress/