Site icon PrishtinaPress

Fillon periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se duke filluar nga sot 29 nëntor, fillon periudha e përsëritjes së votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Dragashit.

KQZ përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit do të zgjas deri më 13 dhjetor 2021.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.

KQZ ka njoftuar se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Ndryshe, Gjykata Supreme ka urdhëruar KQZ të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Gjykata ka pranuar pjesërisht ankesën e kandidatit të LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, duke refuzuar kërkesën e Xheladinit, që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

Votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash. Pas numërimit të votave nga mërgata i pari në garë ka dalë Behxhet Xheladini nga LDK, ndërsa me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar Shaban Shabani nga PDK.

Exit mobile version