Kanë filluar punimet për zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në Gjilan në vlerë prej 2.4 milionë euro, njoftojnë nga kjo komunë.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka parë nga afër nisjen e punimeve.
“Projektet nga prezantimi 7 javë – 7 projekte, po marrin jetë”, tha Hyseni.
I pari i komunës shtoi se pas sezonit dimëror, tash janë krijuar kushtet për vazhdim të punimeve dhe se ky projekt është njëri nga rrugët më të frekuentuara dhe më të rëndësishme për hyrje-dalje nga Gjilani.
“Si një nga projektet më të mëdha kapitale, ky projekt do të zgjerojë infrastrukturën e qytetit dhe do të përmirësojë dukshëm jetën e qytetarëve. Për Gjilanin që duam”, tha Hyseni.
Punimet pritet të përfundohen brenda vitit 2024!
Ky projekt me bashkëfinancim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte prezantuar me 22 janar të këtij viti, në kuadër të projekteve me moton “7 javë – 7 projekte”, derisa gurthemeli ishte vënë me 1 dhjetor.