Site icon PrishtinaPress

Fillojnë hetimet pasi kamerat s’funksionuan në momentin e arratisjes së Radojçiqit

Arratiisja e Milan Radoiçiqit nuk është kapur fare nga kamerat e sigurisë në pikën kufitare në Bërnjak. Arsye për këtë ka qenë mosfunksionimi i tyre, raporton Express.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Rasim Maloku.

Ai ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë çështje, dhe se është rekomanduar edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë.

“S’ka ende ndonjë informacion zyrtar pse s’kanë funksionu, por ka fillu një hetim. Është rekomandu edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë në atë kohë”, tha Maloku për Express.

Ndryshe, mesditën e së enjtes, Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak. Policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje se si i iku Radojçiq nga duart.

Derisa zyrtarët policorë ishin duke kryer procedurat e verifikimit, Radojçiq është kthyer mbrapa me veturë, në drejtim të Serbisë.

Sipas verifikimit të kryer nga policia, ka rezultuar se Radojçiq është i kërkuar në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata.

“PKK Bërnjak  03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.

Ndaj Radojçiq është hapur rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.

Radojciq është vënë në listën e të kërkuarve para disa ditëve.

Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.

Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe./GazetaExpress/

Exit mobile version