Arratiisja e Milan Radoiçiqit nuk është kapur fare nga kamerat e sigurisë në pikën kufitare në Bërnjak. Arsye për këtë ka qenë mosfunksionimi i tyre, raporton Express.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Rasim Maloku.
Ai ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë çështje, dhe se është rekomanduar edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë.
“S’ka ende ndonjë informacion zyrtar pse s’kanë funksionu, por ka fillu një hetim. Është rekomandu edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë në atë kohë”, tha Maloku për Express.
Derisa zyrtarët policorë ishin duke kryer procedurat e verifikimit, Radojçiq është kthyer mbrapa me veturë, në drejtim të Serbisë.
Sipas verifikimit të kryer nga policia, ka rezultuar se Radojçiq është i kërkuar në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata.
“PKK Bërnjak 03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Ndaj Radojçiq është hapur rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
Radojciq është vënë në listën e të kërkuarve para disa ditëve.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe./GazetaExpress/