“Një vit pas pushtimit rus në Ukrainë, Ukraina është më e aftë të mbrohet, falë edhe kontributiti të ndihmave ushtarake perëndimore”, thekson Dr. Rumena Filipova, Kryetare në Institutin “Global Analytics”.
Në intervistën e dhënë për The Geopost ajo flet për konferencën ndërkombëtare e cila është mbajtur në Sofje me 19 maj, ku ekspertë ndërkombëtarë kryesorë nga e gjithë Evropa dhe Amerika kanë folur për të filluar një dialog ndër-rajonal se si të kundërshtohet më së miri ndikimi rus dhe kinez në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Sa i përket ndikimit rus dhe atij kinez në Evropën Qendrore dhe Lindore, ajo tha se kanë të përbashkëtat, por edhe dallimet e veta, ndaj të cilave duhet pasur kujdes. Si ndikim të përbashkët Dr. Rumena Filipova e konsideron ndikimin diplomatik, dezinformues e politik, ndërsa veçon ndikimin e ri të Kinës në nivelin ekonomik dhe atë akademik.
Intervista e plotë:
TheGeopost: Cili është komenti juaj një vit pas agresionit rus në Ukrainë?
Tashmë ka kaluar më shumë se një vit dhe ajo që mund të themi për zhvillimet më të fundit është se më shumë se një vit pas fillimit të pushtimit rus kundër Ukrainës, Ukraina është edhe më e aftë të mbrohet, natyrisht me kontributin jetik të ndihmave ushtarake perëndimore, dhe këtu është e rëndësishme të përmendet sistemi “Patriot” I cili është në gjendje të shmangë sulmet nga raketat ruse, sepse siç e mbani mend në fillim të luftës Rusia dominonte plotësisht hapësirën ajrore të Ukrainës.
Kurse tani mund të shohim se Ukraina mund të mbrohet kundër sulmeve ruse, të cilat mund të ofrojnë ndjenjë më të madhe sigurie dhe normaliteti për të ardhmen. Gjithashtu mund të fillojë procesi i rindërtimit, duke u ndjerë më të sigurt duke pasur parasysh mbrojtjen më të mirë.
Një tjetër lajm i mirë që vjen nga Samiti i G7 i mbajtur së fundmi është sigurimi i rënë dakord i avionëve luftarakë F-16 për Ukrainën, i cili është një tjetër komponent i rëndësishëm në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës.
Pra, mund të themi se një vit më pas, Ukraina është në pozitë më të mirë.
TheGeopost: Së fundmi keni organizuar një konferencë në Sofje, Bullgari, a mund të na thoni si e shihni ndikimin rus dhe kinez në Ballkan?
Po, me të vërtetë, ne mbajtëm një konferencë ndërkombëtare më 19 maj këtu në Sofje, ajo titullohej Evropa Qendrore dhe Lindore në vijën e frontit; Formimi i zgjidhjeve bashkëpunuese për ndikimin e huaj autoritar-shtetëror dhe ne sollëm këtu në Bullgari ekspertë ndërkombëtarë kryesorë nga e gjithë Evropa dhe Amerika për të filluar një dialog ndër-rajonal se si të kundërshtohet më së miri ndikimi rus dhe kinez në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Para së gjithash, ne synuam të shkëmbejmë perspektivat mbi sfidat e trashëguara historikisht dhe bashkëkohore të ndikimit rus dhe kinez, veçanërisht dezinformimin në tre nënrajonet kryesore të Evropës dhe në veçanti, Evropën Qendrore dhe Lindore, vendet baltike dhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Evropën Juglindore.
Synimi ynë i dytë madhor ishte i fokusuar në identifikimin e praktikave më të mira, por edhe mangësitë e mbetura në drejtim të kundërshtimit të ndikimit të medias ruse dhe kineze në rajon dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, ne gjithashtu parashtruam propozime dhe iniciativa konkrete për trajtimin bashkëpunues të aktiviteteve të ndikimit të Pekinit dhe Moskës në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Kështu që unë me të vërtetë do të doja të nënvizoja rëndësinë e të paturit të një rrjeti bashkëpunues ndërkombëtar të ekspertëve dhe grupeve të mendimit (Think tank) nga i gjithë rajoni, të cilët së bashku mund të ofrojnë zgjidhje dhe gjithashtu të trajtojnë ndikimin rus dhe kinez që mund të ndodhë në disa mënyra, duke përfshirë edhe shkëmbimin e informacionit, praktikat më të mira në nivelin e shoqërisë civile dhe qeverisë që kryejnë nisma të përbashkëta avokuese dhe forcojnë dialogë më të ngushtë midis ekspertëve, por edhe politikëbërësve të interesuar për trajtimin e ndikimit rus dhe kinez në rajon.
TheGeopost: Cilat shtete janë më të ndikuar nga Rusia dhe cilat nga Kina?
Kjo është një pyetje shumë interesante, sepse është diçka që ne e kemi fokusuar shumë gjatë konferencës. Nga njëra anë, ne kemi parë se ka pasur një shkallë të konsiderueshme të ndërlidhjes dhe madje koordinimit të aktiviteteve diplomatike ruse dhe kineze, si dhe fushatat e dezinformimit, por gjithashtu shumë nga panelistët tanë bënë thirrje që të jemi gjithashtu të vëmendshëm ndaj dallimeve midis operacioneve të ndikimit rus dhe kinez, kështu që ne i kushtuam shumë vëmendje faktit që sigurisht Rusia ka qenë historikisht aktori kryesor agresiv në Evropën Qendrore dhe Lindore, e cila ka ndërhyrë në politikën e brendshme dhe gjithashtu në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendeve në këtë pjesë të Evropës. Ndërsa Kina është një aktor shumë më i ri këtu dhe ka ushtruar ndikim veçanërisht në ekonomitë e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Pra, ato dallime në origjinë, të ndikimit rus dhe kinez do të thotë se ne duhet të jemi të vëmendshëm edhe ndaj objektivave të veçanta të fushatave dezinformuese të Pekinit dhe Moskës në veçanti.
Ne u fokusuam në vendet baltike dhe grupet e synuara të dezinformatave ruse dhe kineze atje dhe kemi parë se Moska tenton të synojë komunitetet rusishtfolëse dhe gjithashtu grupet e cenueshme sociale dhe ekonomike, që sigurisht është një trend që vlen jo vetëm për vendet baltike, por edhe për pjesën tjetër të Evropës Qendrore dhe Lindore, kurse, Kina tenton të synojë komunitetet e biznesit dhe gjithashtu komunitetet akademike.
Është e rëndësishme të nënvizohet se kjo është pjesë e strategjisë së përgjithshme të Kinës për të krijuar një gjurmë të rëndësishme në institucionet akademike të Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe në ekonomitë dhe komunitetet e biznesit.
Pra, do të doja të theksoja këtu përgjigjet ndaj ndikimit kinez dhe në veçanti, diskutuam shembullin lituanez, i cili është sigurisht një shembull që tregon për të gjithë Evropën, por do të thoja edhe botën se si një vend mund të përballet me situatën ekonomike, kursi i praktikave të Pekinit që pasoi pas vitit 2021 kur Lituania vendosi të krijojë një zyrë ndërlidhëse të Tajvanit, që do të thotë de-facto një ambasadë, e cila çoi në hakmarrjen ekonomike të Kinës, duke bllokuar tregtinë dypalëshe dhe gjithashtu duke vendosur sanksione dytësore. Këtu theksuam rëndësinë e partneriteteve ekonomike brenda komunitetit euroatlantik, sepse SHBA-të dhe Tajvani ndërhynë dhe i dhanë mbështetje të rëndësishme ekonomike Lituanisë ku BE-ja paditi gjithashtu Kinën dhe OBT-në për praktika diskriminuese tregtare, kështu që sa i përket përgjigjeve, është e rëndësishme të kemi një bashkëpunim strategjik midis vendeve me të njëjtin mendim në komunitetin euro-atlantik, në mënyrë që të jetë në gjendje të shmangë disa nga pasojat negative të shtrëngimit ekonomik të Kinës. /The Geopost/