0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Figurat kyçe të qeverisë së re të talibanëve

Talibanët kanë formuar Qeverinë e re, teokratike të Afganistanit, disa javë pasi më 15 gusht ra qeveria e Kabulit që njihej ndërkombëtarisht, dhe disa ditë pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Lideri i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhunzada, një klerik i linjës së ashpër dhe ish-shef i drejtësisë, është emëruar lider suprem. Ai do të ketë fjalën e fundit për çështjet politike, fetare dhe ushtarake në shtetin, sistemi i të cilit ta kujton udhëheqjen e Iranit, i cili që prej vitit 1979 udhëhiqet nga klerikët.

Mullah Mohammad Hassan Akhund, një prej themeluesve të grupit në fillim të viteve të 90-ta, ka shërbyer edhe si ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër gjatë regjimit taliban në vitet 1996-2001, është zgjedhur shef i qeverisë dhe do të mbikëqyrë çështjet e përditshme.

Mullah Abdul Ghani Baradar, një prej bashkëthemeluesve të talibanëve, që më herët ka qenë një prej tre zëvendësve të Akhunzadas, do të jetë zëvendësi i parë i Akhundit.

Mawlawi Hanafi, një figurë e lartë e talibanëve që ka qenë pjesë e ekipit negociator në bisedimet e paqes në Katar, është emëruar zëvendësi i dytë i Akhundit.

Edhe pozita të tjera kyçe janë plotësuar me dy zëvendës: Mullah Mohammad Yaqoob, djali i liderit të ndjerë shpirtëror të talibanëve, Mullah Mohammad Omar, është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Sirajuddin Haqqani, lideri i rrjetit Haqqani, që është një fraksion i fuqishëm i talibanëve, do të shërbejë në postin e ministrit të Brendshëm.

Sher Mohammad Abbas Stanekzai, një lider kyç taliban që ka punuar si i dërguar diplomatik, është emëruar zëvendësministër i Jashtëm.

Një prej detyrave të para të qeverisë së talibanëve do të jetë që të tentojnë të hapin kanalet diplomatike dhe ekonomike, teksa kërkojnë njohjen nga qeveritë e huaja, por disa qeveri në Perëndim kanë sinjalizuar se do të “angazhohen” në marrëdhënie politike, por pa e njohur qeverinë e talibanëve.

Të gjithë personat e emëruar në postet e reja, u tha se janë në “detyrë”.

Mullah Hassan Akhund

Akhund është një prej figurave më të larta të talibanëve. Ai ishte një prej anëtarëve që themeloi grupin në fillim të viteve të 90-ta dhe ka shërbyer si zëvendëskryeministër gjatë regjimit taliban gjatë viteve 1996-2001. Ai gjatë asaj kohe po ashtu kishte shërbyer si ministër i Jashtëm dhe guvernator provincial.

Akhund, që vjen nga Kandahari, që konsiderohet si vendlindja e talibanëve, besohet se ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Mullah Mohammad Omar, liderit të ndjerë shpirtëror të talibanëve.

Gjatë kryengritjes së talibanëve, Akhund ka qenë një komandant i lartë ushtarak. Ai gjithashtu ka udhëhequr këshillin udhëheqës të talibanëve, që është trupi më i lartë vendimmarrës i grupit dhe që e ka selinë në Kueta të Pakistanit.

Akhund, që prej vitit 2001 gjendet në listën e terroristëve të Kombeve të Bashkuara, vit kur nga pushimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkura, talibanët u rrëzuan nga pushteti. OKB-ja e ka përshkruar atë si një prej “komandantëve më efektivë të talibanëve”. Po ashtu thuhet se ai ka lindur ndërmjet viteve 1955 dhe 1958.

Ibraheem Bahiss, një hulumtues i pavarur afgan, tha se duke pasur parasysh statusin e Akhundit, nuk ishte “befasi e madhe” që ai është emëruar si kreu i ri i qeverisë.

Mullah Baradar

Abdul Ghani Baradar, një lider veteran i talibanëve, është fytyra më publike e këtij grupi militant islamist.

Baradar, 53 vjeç, ishte numri dy gjatë udhëheqjes së grupit nga Mullah Omar dhe kishte koordinuar operacionet ushtarake të talibanëve në Afganistan, përpara se të arrestohej më 2010 në Pakistanin fqinj.

Barabar u burgos nga autoritetet pakistaneze pasi ai, siç u raportua, lehtësoi bisedimet ndërmjet Qeverisë afgane dhe komandës talibane pa miratimin e Pakistanit, që është sponsori kryesor i huaj i grupit militant.

Baradar kishte qëndruar tetë vjet në burg në Pakistan, ku shumë liderë talibanë u larguan pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja më 2001, që rrëzoi nga pushteti regjimin brutal të talibanëve.

Ai u lirua më 2018 me urdhër të SHBA-së pas nisjes së bisedimeve direkte ndërmjet militantëve dhe Uashingtonit, ku u bë udhëheqës i zyrës politike të talibanëve në Katar dhe kryengociator i grupit militant.

Baradar e ka nënshkruar marrëveshjen e shkurtit të vitit 2020 me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Zalmay Khalilzad në ceremoninë e mbajtur në Doha të Katarit.

“Baradar ka qenë figurë kyçe e udhëheqësisë dhe diplomacisë së talibanëve”, thotë Graeme Smith, autori mbi Afganistanin dhe konsulent për Grupin Ndërkombëtar të Krizave me seli në Bruksel.

Mullah Abdul Ghani Baradar.
Mullah Abdul Ghani Baradar.

Por, ai thotë se do të ishte gabim përqendrimi në një lider të vetëm taliban.

“Udhëheqësia e talibanëve është më kolektive sesa hierarkitë poshtë-lartë që janë në organizatat e tjera”, tha Smith.

“Ata konsultohen gjerësisht, jo vetëm në mesin e udhëheqësisë, por edhe me një numër të këshillave që janë të krijuar brenda grupit”, shtoi ai.

Baradar vjen nga provinca jugore Uruzgan dhe është Durrani Pashtun nga fisi Popalzai. Pashtunët në jug të Afganistanit përbëjnë një pjesë të madhe të udhëheqësisë së talibanëve,

Për shkak të raporteve të afërta me Mullah Omarin, ai fitoi emrin “Baradar” që do të thotë “vëlla”.

Mullah Yaqoob

Mullah Yaqoob praktikisht ishte një emër i panjohur deri më 2015, kur talibanët e pranuan se babai i tij, Mullah Omar, kishte vdekur mbi dy vjet më herët në Pakistan.

Më 2015, talibanët konfirmuan se lideri i tyre shpirtëror, Mullah Omar kishte vdekur dy vjet më parë në Pakistan.
Më 2015, talibanët konfirmuan se lideri i tyre shpirtëror, Mullah Omar kishte vdekur dy vjet më parë në Pakistan.

Që atëherë, Yaqoob, një njeri ambicioz, u ngrit në radhët e talibanëve. Ai konsolidoi pushtetin, pasi dështoi që atë vit të pasonte babanë e tij në krye të grupit, duke u bërë fillimisht zëvendëslider dhe më pas u emërua shef ushtarak.

Yaqoob, që besohet se është në të 30-tat, ka mbikëqyrur operacionet ushtarake në 13 provincat jugore dhe perëndimore pavarësisht se ai nuk ka eksperiencë në fushëbetejë. Yaqoob ka diplomuar në disa seminare të linjës së ashpër islamike në Pakistan.

Ekspertët thonë se prestigji i të qenurit djali i madh i Mullah Omarit bëri që Yaqoob të bëhej komandant i talibanëve dhe të ngritej në hierarkinë e grupit.

“Mullah Omar ka qenë një lider karizmatik dhe ende ka respekt të madh për të, familjen e tij dhe madje edhe për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, shumica prej të cilëve gjatë viteve janë promovuar në pozita me ndikim”, tha Obaid Ali, ekspert për kryengritjet në Afganistan në Rrjetin e Analizave, një organizatë e pavarur me seli në Kabul.

Sirajuddin Haqqani

Sirajuddin Haqqani është zëvendëslideri dhe shefi ushtarak i talibanëve, që ka mbikëqyrur operacionet në 21 provincat lindore dhe veriore të Afganistanit.

Ai po ashtu është lider i rrjetit Haqqani, që është fraksioni më i fuqishëm dhe më vdekjeprurës i talibanëve. Këtë rrjet, SHBA-ja e cilëson si organizatë terroriste.

Ky është posteri ku Byroja Federale e Hetimeve në SHBA, kërkon Sirajuddin Haqqanin.
Ky është posteri ku Byroja Federale e Hetimeve në SHBA, kërkon Sirajuddin Haqqanin.

Ekspertët thonë se rrjeti ka lidhje të ngushta me Al-Kaidën dhe udhëheqësinë ushtarake të Pakistanit, shtet që për një kohë të gjatë është akuzuar se u ka ofruar strehë të sigurt dhe mbështetje materiale talibanëve.

Rrjeti – që bazën e ka në zonat fisnore në veriperëndim të Pakistanit – është fajësuar për një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe afganëve, por edhe forcave të huaja të sigurisë, duke fituar famë për përdorimin e sulmuesve vetëvrasës me bombë në sulme në zona urbane.

Haqqani, për kokën e të cilit SHBA-ja ofron 10 milionë dollarë, është djali i liderit të ndjerë radikal islamik, Jalaluddin Haqqani, që ka qenë një prej komandantëve kyçë të rezistencës në luftën kundër forcave sovjetike në Afganistan në vitet e 80-ta.

Sher Mohammad Abbas Stanekzai

Stanekzai ka qenë zëvendës i Baradarit në zyrën politike të talibanëve në Katar.

Stanekzai është trajnuar dhe ka diplomuar në shkolla prestigjioze ushtarake në Indi në vitet e 80-ta, para se t’i bashkohej muxhahedinëve, guerilëve islamikë të mbështetur nga SHBA-ja, që luftuan kundër forcave sovjetike, gjatë pushimit të tyre 10-vjeçar të Afganistanit.

Sher Mohammad Abbas Stanikzai, gjatë një konference për media pas një takimi në Moskë të Rusisë më 28 maj të vitit 2019.
Sher Mohammad Abbas Stanikzai, gjatë një konference për media pas një takimi në Moskë të Rusisë më 28 maj të vitit 2019.

Kur talibanët morën nën kontroll Afganistanin më 1996, pas një lufte shkatërruese civile që zgjati katër vjet, Stanekzai u emërua zëvendësministër i Jashtëm.

Ai flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe është një lider kyç i krahut politik të talibanëve dhe ka qenë një prej të dërguarve kyç të grupit për diplomatët e huaj dhe mediat./rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img