Site icon PrishtinaPress

FIFA: Të gjithë ata që kanë luajtur pas 13 majit, s’mund të luajnë për Kosovën

FIFA e ka publikuar vendimin për lojtarët nga Kosova që kanë luajtur për përfaqësuese të tjera dhe kërkesën e FFK-së për që ata ta përfaqësojnë vendin e tyre. Vendimi bazë është se lojtarët që nuk e kanë përfaqësuar përfaqësuesen e tyre paraprake pas 13 majit të këtij viti (që është data e pranimit të FFK-së në FIFA) mund të luajnë për Kosovën, ndërsa të tjerët jo.
“Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është pranuar si një anëtare e re e FIFA-s më 13 maj 2016 dhe para participimit në kualifikimet për Kampionatin Botëror ‘Rusia 2018’, FFK ka bërë disa kërkesa për ndryshime në lidhje me lojtarët të cilët në të kaluarën kanë përfaqësuar ndonjë kombëtare tjetër në gara zyrtare ndërkombëtare”, nis deklarata e publikuar nga organizata më e madhe e futbollit.
Më tej thuhet se në bazë të rregullave dhe statuteve të FIFA-s, lojtarët që nuk kanë luajtur asnjë ndeshje në një garë zyrtare në nivelin ndërkombëtar ‘A’ për përfaqësueset e tyre paraprake dhe kishin shtetësi të Kosovës para paraqitjes së tyre të parë në një ndeshje ndërkombëtare, u është aprovuar kërkesa që të luajnë për përfaqësuesen tonë.
Po ashtu, njoftohet se FFK-ja ka paraqitur edhe disa kërkesa tjera për ndryshim të përfaqësueses për lojtarët kanë luajtur ndeshje në një garë zyrtare të nivelit ndërkombëtar ‘A’ për përfaqësueset e tyre paraprake. Në këtë rast, vendimi për të lejuar apo jo ndryshimin e përfaqësueses të lojtarit është mbi Komitetin e FIFA-s për Statusin e Lojtarëve. Në këtë aspekt, Byroja e këtij komiteti ka aprovuar disa kërkesa, pasi i ka marrë parasysh specifikat e rasteve në fjalë dhe i ka vlerësuar duke i pasur parasysh rrethanat e çështjes në fjalë, ashtu që ka pasur një qasje më të butë.
Në veçanti, kjo byro i ka lejuar të luajnë për Kosovën, lojtarët që nuk e kanë përfaqësuar përfaqësuesen e tyre paraprake pas 13 majit të këtij viti (që është data e pranimit të FFK-së në FIFA). Ky ka qenë elementi kyç në vendimin që është marrë për këtë çështje.
Kjo do të thotë se yjet, si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Shani Tarashaj, nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën.

Exit mobile version