Site icon PrishtinaPress

FFK-ja nuk e licencoi për Evropë fituesen e Kupës, Prishtina tani shpresat i ka te CAS-i

Pasi e fitoi Kupën e Kosovës mbrëmë në duel me Gjilanin, FC Prishtina rrjedhimisht do të duhej të luante edhe në gara evropiane, shkruan Gazeta Express. Por, tash për tash klubi më i trofeshëm në vend e ka të pamundur pasi Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk e ka licencuar për pjesëmarrje në garat e UEFA-s.

Pastaj, FC Prishtina kishte bërë ankesë në FFK, por edhe ajo iu kishte refuzuar duke mbetur pa licencë.

Sidoqoftë, prishtinasit janë të bindur se i plotësojnë kriteret e licencimit, por disa herë kanë theksuar se FFK-ja nuk e ka licencuar për shkak se qëndrimi i klubit kohëve të fundit ka qenë “opozitar” i kryesisë aktuale të FFK-së.

Andaj, klubi bardh e kaltër tashmë ka bërë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e cila po beson se do ta obligojë FFK-në t’ia jap licencën për pjesëmarrje në gara evropiane.

“Kemi bërë ankesë në CAS. Ata e vendosin. Afati për dorëzim të ankesës është 15 ditë. Besoj që do të aprovohet kërkesa, nuk ka arsye për t’u mos aprovuar. Nuk ka pasur arsye për t’u mos u licencuar, përveç atyre vonesave. E vonesa kanë pasur krejt klubet për shkak të moslicencimit të FFK-së nga Ministria, me ç’rast krejt futbolli pati krizë financiare”, ka deklaruar për Express drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani.

Derisa Prishtina e ka fituar Kupën, kampionatin e ka mbyllur në vendin e pesë, pas Ballkanit, Dritës, Gjilanit e Dukagjinit, katër klube këto që janë licencuar nga FFK-ja për pjesëmarrje. Vetëm Drita nga këto katër klube ishte sikurse FC Prishtina kundër kryesisë aktuale të FFK-së, kurse tri të tjerat kanë qenë përkrahëse të mëdha të saj.

 

 

 

Exit mobile version