Site icon PrishtinaPress

Ferizajasi ia sheh sherrin piknikut të 1 Majit, përfshihet nga zjarri i skarës – humb vetëdijen

Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, kosovarët tradicionalisht kanë festuar duke u mbledhur në hapësira gjelbëruese për të bërë grill e për t’u argëtuar.

Kështu zgjodhën të kalojnë ditën e djeshme edhe disa persona në Ferizaj, por një e papritur që i ndodhi njërit prej tyre, do t’u lë kujtime të hidhura të 1 Majit.

Burimet brenda Emergjencës së Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, kanë bërë me dije se 23-vjeçari është dërguar atje në gjendje të rëndë si pasojë e plagëve të cilat dyshohet t’i jenë shkaktuar nga zjarri i skarës që e përfshiu.

Për shkak të natyrës së lëndimeve, i riu është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Ai ka pësuar djegie në krah, gjoks dhe organe gjenitale.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë marrë dëshmitë e dy dëshmitarëve, ndërsa viktima nuk ka qenë në gjendje të deklarohet.

Bazuar në dëshminë e dëshmitarëve, derisa viktima kishte qenë duke ndezur zjarrin e skarës, ishte përfshirë nga flakët dhe si pasojë e kësaj kishte humbur vetëdijen. Ata kanë deklaruar se kanë intervenuar menjëherë duke e shuar zjarrin me ujë dhe duke e transportuar viktimën për në Emergjencë.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim aksidental’./PrishtinaPress/

Exit mobile version