Policia i ka gjobitur me nga 500 euro tre shoferë në Ferizaj.
Policia e Komunikacionit Rrugor ka zbatuar ligjin e ri me gjoba më të ashpra, duke ua konfiskuar atyre edhe automjetet.
“Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj në tri raste të ndara në rrugët magjistrale Ferizaj-Kaçanik dhe Ferizaj-Shtime ka ndaluar tre shoferë, të cilët kanë drejtuar automjetet e tyre nën masën mbrojtëse, ku me ligjin e ri parashihet gjobë kundërvajtëse, vazhdim i masës mbrojtëse, pikë negative dhe konfiskim i automjetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Ndaj shoferëve policia u ka shqiptuar nga një gjobë kundërvajtëse prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative, vazhdim i masës mbrojtëse edhe për gjashtë (6) muaj, si dhe u janë konfiskuar përkohësisht automjetet”, thuhet tutje në njoftim.
Policia Rajonale e Ferizajt thotë se “do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor”, dhe iu ka bërë thirrje shoferëve që “të bëjnë kujdes që të mos drejtojnë automjetet nën masën mbrojtëse të shqiptuar më herët”.