Numri i personave të prekur me COVID-19 në komunën e Ferizajt ka shkuar në 90.
Kryetari i kësaj komune Agim Aliu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nga 90 personat e prekur, katër prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, dhe se të gjithë janë raste kontakti nga kolegët dhe familjarët e atyre që punojnë në kampin Bondsteel.
“Numri total i të prekurve me COVID-19 në komunën tonë është 90, katër prej tyre po trajtohen në Klinikën Infektive pjesa tjetër është në trajtim në shtëpi në vetizolim.Të gjitha janë raste kontakti me kolegët dhe familjarët e tyre që punojnë në Kampin Bondsteel, vetëm tri raste kemi që janë raste kontakti me familjarë në Topanicë të Kamenicës”, ka thënë Aliu.
Aliu ka bërë të ditur se sot presin rezultatet edhe për disa persona të tjerë, në mesin e të cilëve janë edhe dy mjekë dhe pesë infermierë të cilët kishin pasur kontakt me personin i cili tashmë ka ndërruar jetë.
“Ka raste që janë marrë disa mostra për tu përpunuar mbrëmë rezultatet e të cilat do të dalin sot, në mesin e atyre mostrave që pritet të dalin sot janë të punëtorëve shëndetësorë dy mjekëve dhe pesë infermierëve të cilët kanë qenë në kontakt me personin që ka ndërruar jetë, por që tek sot iu bëhen analizat”, ka shtuar Aliu.
I pari i Ferizajt, bëri të ditur se ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, që ky qytet të hiqet nga karantina.
Aliu ka thënë se ka kërkuar që Ferizaj të hiqet nga karantina për arsye se janë në praktikë masat e MSh-së dhe logjikshëm një qytetar ka kohë një orë e gjysmë dhe askush nuk mund të udhëtojë për Prishtinë.
“Kam kërkuar me u largu prej karantinës, sepse praktikisht dhe logjikisht nuk ka nevojë me funksionu karantina, për shkakun se masat dhe veprimet e reja që janë marrë dhe që kërkojnë që qytetari në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit të ketë 1 orë e gjysh në dispozicion, ai nuk ka mundësi që të dalë jashtë Ferizajt për një orë e gjysmë.
Arsyeja e dytë është se policia nuk po ka kapacitete për me mbajt karantinën si duhet për shkak se po shfrytëzohen edhe rrugët kolaterale dhe policia po ka mungesë të resurseve. Arsyeja tretë është se në rast se hiqet karantina këto resurse policore që janë të vendosura në pikat e kontrollit në hyrje dhe dalje të Ferizajt mund të përdoren me qëllim të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit të personave të cilët janë në vetizolim edhe të personave të prekur me COVID-19”, tha Aliu.
Aliu shtoi se Policia në Ferizaj nuk ka kapacitet me përballu karantinën, dhe se shpreson që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do ta marrë parasysh kërkesën e tij.