Site icon PrishtinaPress

Ferid Agani mbron marrëveshjet me spitalet private për të cilat akuzohet

Ish-ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë i akuzuar për korrupsion në rastin “Stenta”, Ferid Agani ka mbrojtur marrëveshjet që ministria që ai udhëhiqte kishte lidhur me spitalet private për trajtim të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, pasi sipas tij, një gjë e tillë kishte bërë që të shpëtoheshin shumë jetë të qytetarëve.

Një deklarim të tillë, Agani e dha të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku ai së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si “Stenta 1”.

“Ka qenë vendim i Kuvendit të Kosovës që këto mjete të ndahen për qytetarët që janë në gjendje kritike për jetë. Me këto mjete, pra 4.5 milion të ndara për tre vite, në vetëm një vit është shpëtuar jeta e 320 qytetarëve të këtij vendi. Për mu si ministër, jeta e një qytetari ka peshë shumë më të madhe se paratë”, tha Agani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Salihu-Shamolli.

Kjo përgjigje e Aganit erdhi pasi që prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Salihu-Shamolli, e pyeti Aganin,  nëse të gjitha paratë që kanë shkuar për spitalet private kishin mundur të shpenzoheshin në blerjen e aparaturave dhe investimi i tyre në spitalet publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç tha Agani, një kërkesë e tillë po të bëhej nga ana e tij si ministër, do të ishte kundërligjore dhe për të do të ndjekej penalisht pasi siç tha, ligji i buxhetit miratohet nga Kuvendi i Kosovës, dhe mjetet në fjalë ishin përcaktuar te kategoria e subvencioneve, në shumë prej rreth 5 milion euro në vit.

Exit mobile version