Site icon PrishtinaPress

Feraj që tash këshillon Kurtin e paguhet me taksa tona, nderonte me grusht diktatorin e vdekur

Hysamedin Feraj, i cili aktualisht është duke shërbyer si këshilltar i kryeministrit Kurti, është përfshirë në një polemikë me ish kryeministrin Avdullah Hoti, tani deputet i LDK’së,  të cilit i ka thënë se po merr urdhra nga ish emisari Richard Grenell.

Feraj tha se Hoti ka përgënjeshtruar ambasadorin Amerikan Hovenier, kur ka thënë se Kurti nuk është koordinuar me ndërkombëtarët për reciprocitetin duke thënë se ,” si akademik, Avdullah Hoti thotë gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”.

“Avdullah Hoti përgënjeshtron Ambasadorin Hovenier të SHBA-ve.

– Ky kishte thënë dje se pati koordinim me ndërkombëtarët për reciprocitetin dhe për targat.

– Hoti, duke e demantuar qëndrimin e ambasadorit amerikan, ka deklaruar sot se nuk pati koordinim ndërkombëtar.

Dhe, si akademik, Avdullah Hoti thotë gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Deri kur Grenelli ta urdhërojë për të kundërtën” ka shkruar Feraj.

Hoti i është përgjigjur nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale duke përmendur se Feraj po bën shpifje. Ai ia ka kujtuar se këtë po bën teksa paguhet me taksa të qytetarëve të Kosovës. 

“Ata që gjithë jetën nuk kanë guxuar as të mendojnë pa marrë urdhër, e janë betuar për zbatim të urdhërave edhe para padronit të tyre të vdekur, kujtojnë se të gjithë janë si ata – relikte të së kaluarës të dhimbshme për popullin shqiptar dhe robë në mendje e shpirt.

Paguhen nga taksat e qytetarëve, e merren me shpifje e konspiracione ndaj kundërshtarëve politikë” ka shkruar Hoti.

Këshilltari Feraj është i lindur në një fshat të Gjakovës, por për shkak të involvimit në demonstratat e vitit 1981, ishte arratisur në Shqipëri.

Kosovarin e “natyralizuar” në Shqipëri, ku është shkolluar e punësuar,  e ka gjetur edhe vdekja e diktatorit Enver Hoxhës. 

Ferajt, që prej kohësh është shndërruar në aleat ideologjik të Albin Kurtit e madje edhe ka garuar me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhje, i ishte publikuar një fotografi -arkiv ku shihej duke i bërë nderim me grusht lart arkivolit të Enver Hoxhës në Pallatin e Kongreseve.

Aktualisht, kur VV është duke kaluar në zgjedhje të brendshme, Kurti e ka marrë afër vetës duke e bërë këshilltar.

Exit mobile version