Në muajin e Ramazanit, janë të shumtë bamirësit që ndihmojnë familjet në nevojë.
Në përfundim të muajit të shenjtë, është një nënë e vetme me dy fëmijë jetimë, e cila jeton në kushte të mjera dhe ka mbetur pa kulm mbi kokë, ajo që ka nevojë më së shumti për ndihmën e besimtarëve bamirës.
Gruaja e cila vjen nga Gjakova ka dy fëmijë, të moshës 5 dhe 6-vjeçare, është ndihmuar tani e disa muaj me ndihma ushqimore nga Shoqata “Bereqeti” të cilët tani kanë marrë iniciativën edhe për sigurimin e një shtëpie për të.
Akoma më të rëndë e bën gjendjen e saj fakti se bashkëshorti, veteran i UÇK-së, ka vdekur vite më herët.
Abdurrahman Bejtullahu, nga Shoqata “Bereqeti”, ka bërë të ditur se një person ka dhuruar një shumë prej 20 mijë dollarëve për t’i siguruar një banesë nënës, duke bërë thirrje për të kontribuar edhe persona të tjerë deri në fund të Ramazanit.
“Të nderuar bamirës kudo që ju kemi, dashtë Zoti jeni mirë. Jemi në 10 ditëshin e fundit të Ramazanit, para një jave kemi publikuar një video për një nanë më dy jetimë e cila është në kushte tepër ekstreme. Falë Zotit sot është paraqit një grua nga SHBA dhe së bashku me djalin e saj kanë dhuruar 20 mijë dollarë. Kemi nevojë edhe për pak ndihmë të juaj, pothuajse e kemi gjetë një banesë në komunën e Gjakovës e mobiluar e cila i ka 55m2 dashtë Zoti deri për Fitër Bajram ta gëzojmë këtë nënë me dy jetimë. Secili nga pak dashtë Zoti e ndihmojmë këtë nënë.”, ka thënë ai.
Kanal 10 i bashkohet kësaj fushate dhe bën thirrje për të kontribuar në sigurimin e një kulmi mbi kokë.
Këto janë të dhënat ku mund të kontribuoni dhe ndihmoni këtë familje./PrishtinaPress/