Njohësi i çështjeve politike, Gunther Fehlinger, ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është duke vdekur. Sipas tij nuk do të ketë progres në dialog derisa pesë shtetet mos njohëse nuk ndryshojnë qëndrim ndaj Kosovës.
Fehlinger konsideron se BE-ja nuk po e trajton me dinjitet Kosovën, ndërsa sipas tij, Serbia po provokon në çdo moment.
“Nuk do të ketë qetësi derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet perëndimore po i bëjnë presion Kosovës dhe po nuk e po trajtojnë me dinjitet, derisa Serbia në çdo moment është duke provokuar. Për më tepër si pasojë e këtyre zhvillimeve në veri Kosova është sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Të gjitha këto zhvillime që kanë ndodhur gjatë periudhës së fundit, tregojnë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i vdekur. Ka 10 vjet që ky dialog është duke u zhvilluar dhe nuk ka pasur shumë progres, prandaj mendoj se është i domosdoshëm një format i ri i dialogut”, thotë Fehlinger.
Fehlinger thotë se dialogu do të ishte krejtësisht ndryshe nëse të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.
“Është për keqardhje që pesë shtetet mos njohëse të Bashkimit Evropian akoma nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës. Derisa këto shtetet nuk lëvizin nga pozicioni i tyre atëherë çfarë po presim nga Serbia? Do të ishte një histori krejt tjetër nëse në vitin 2008 të gjitha shtetet e bllokut evropian do ta njihnin pavarësinë e Kosovës”, thotë ai për tëvë1.
Që kur janë rritur tensionet në pjesën veriore të Kosovës, kanë munguar takimet e nivelit të lartë në Bruksel.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që sa më shpejtë të krijohen kushtet për zgjedhje të reja në katër komunat veriore.