Fazli Ahmetaj nga fshati Radishevë i Skenderajt ka pasur shumë vuajtje gjatë 77 viteve të jetës së tij.
Ai dhimbjet e luftës në secilin moment i ka afër vetes. Ai nuk ka e ditur që me vete mbartë një plumb në trup.
“15 vite pas luftës kam ndjerë dhimbje të mesit dhe kam shkuar për kontroll te mjeku. Kam menduar se plumbi më ka rënë dhe ka dalë. Nuk kam pasur ndonjë pengesë e diçka”, rrëfen për RTV Dukagjinin Fazli Ahmetaj.
Ai tregon hitorinë se si u plagos nga serbët në mars të vitit 1999.
“Kam shkuar për të bërë Bajram në Matiçan. Pas një kohe të shkurtër forcat policore ushtarake kanë ardhur me autoblinda dhe vetura ushtarake duke gjuajtur e vrarë njerëz në rrugë. Ne kur kemi dëgjuar se po gjuajnë ne kemi ikur në drejtim të Zllatarit për Mramor. Ata kanë qenë duke na gjuajtur në drejtim tonin në vijë ajrore rreth 300 metra. Unë e kam parë me sytë e mi se si rafali e ka kapur një person dhe në atë moment dhe në sekond ka rënë i vdekur. Duke ecur mua më ka kapur në mes. Në njërën dorë e kisha djalin e vogël dhe sapo kam prekur në varrë më është mbushur dora gjak”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Duke pasur parasysh situatën, ishte e pamundur që Fazliu të mjekohej si duhej.
Ai kishte menduar se me pastrimin e plagës ka dalë edhe plumbi.
“E kamë vërejtur që plaga më ka ligështuar, por duke ikur maleve jam takuar me refugjatë. Në ato momente ka qenë një motër medicinale që ma ka pastruar plagën dhe pasi më ka dhënë një injeksion jam ndjerë më mirë”.
Ai thotë se nuk ka pasur më probleme shëndetësore që të evidentonte se në trupin e tij e ka një plumb.
“Kam shkuar për një incizim. Më pyeti mjeku se për çfarë kam shkuar. Unë i thashë po dyshoj ishiasi. Ai më tha “lëre ishiasin, po ti ke plumb në trup. Më pas më thanë që ta bëjë një incizim tjetër. Pas këtij incizimi mjeku ma konfirmoi se në trup kam plumb. Nga ai moment unë e lashë më atë punë”.
Të jetosh me plumb në trup për shumë njerëz është e pabesueshme, por Fazli Ahmetaj ka dëshmi për këtë.
Ai thotë se plumbi në trupin e tij është 30 me 11 milimetër.
“Plumbi është në një vend ku nuk bën me ngacmua. Vetëm magnetoskopinë nuk mund ta bëjë”.
Ai thotë se plumbi nuk i shkakton probleme në shëndet pos kur ndryshon moti që plaga pak i kruhet.