Përfundimisht ka ardhur koha që të nisim iniciativën parlamentare për mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie. Kështu po mendon lideri i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj.
Ai në një postim në llogarinë e tij në facebook thotë se ne të gjithë tashmë jemi duke e parë që kjo qeveri ka dështuar në të gjitha planet dhe programet e saj.
“Si pasojë e kësaj qeverisje vendi ynë tashmë një vit e gjysmë është në krizë politike. Kjo qeveri nuk arriti të adresoj dhe të zgjidh as edhe një problem me të cilin ballafaqohet Kosova. Kemi një mosbesim dhe mosfunksionim total brenda vet kabinetit qeveritar”, ka thënë Limaj, transmeton Indeksonline.
Të gjitha institucionet e vendit në tërësi janë jo funksionale, ka shtuar ai.
“E tërë kjo klimë më së miri po shpërfaqet tash e sa kohë në parlament, ku ky koalicion qeverisës edhe me afro 90 deputet të cilët i ka, qe disa herë nuk arrin që të ketë kuorum as për votimin e ligjeve të qeverisë së tyre, e poashtu kemi edhe shumë nga deputet të këtij koalicioni që edhe janë deklaruar kundër vazhdimit të këtij koalicioni qeverisës.Mungesa permanente e ministrave të kësaj qeverie në seancat e parlamentit e ka ndihmuar dhe e ka thelluar jo funksionalitetin e këtij parlamenti”, ka shkruar Limaj.
E vetmja zgjidhje për të dal vendi ynë nga kjo situatë, e në të cilën edhe praktikisht të gjitha institucionet janë jo funksionale, sipas tij, janë zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Prandaj Limaj thotë se i takon opozitës që të nis iniciativën për mocion mosbesimi për këtë qeveri dhe me këtë ti hapim rrugë zgjedhjeve.
“Unë në emër të NISMA-së thërrasë të gjitha grupet parlamentare opozitare në Kosovë që ta ndërmarrim këtë iniciativë dhe me këtë t’ju mundësojmë të gjithë deputetëve të parlamentit që të shprehen përmes votës për mocionin e mosbesimit dhe kështu të dalim nga kjo situatë e krijuar, e në të cilën asgjë nuk po funksionon”, ka shkruar lideri i Nismas për Kosovën.