4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Familjet e dëshmorëve: Në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë

Sot, për nder të 24-vjetorit të Betejës së Koshares, politikanë, familjarë të dëshmorëve e shumë qytetarë bën homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare.

Nipi i komandantit Agim Ramadani, Taulanti u shpreh se në Koshare qëndrojnë themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Është një datë e rëndësishme dhe një vepër kthyese në historinë e Kosovës, këtu qëndrojnë bazat dhe themelet e lirisë dhe Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Unë si nipi i Agim Ramadani dhe gjithë familjarët dhe pjesa tjetër e familjarëve të gjithë dëshmorëve që kanë rënë në Betejën e Kosharës janë shumë krenarë, megjithëse bashkëndjejmë dhimbjen dhe krenarinë. Beteja e Koshares shënon një kthesë të rëndësishme, e cila do mbetet brez pas brezi për t’u kujtuar dhe falënderuar, qoftë ndërtimi Institucional apo pjesa e zhvillimeve kanë bazën dhe gurthemelin në Koshare”, u shpreh ai.

Vajza e dëshmorit Rrahman Tafa, Shpresa kërkoi nga institucionet e shtetit që të bëjnë organizim më profesional të përvjetoreve të Betejës së Koshares.

Ajo kërkoi që të ketë mbështetje për familjet e dëshmorëve.

“Rrahman Tafa, ishte dëshmorë i Betejës së Kosharës, u vra me 11 prill bashkë me bashkë me komandantin Agim Ramadani, i cili në këtë betejë ka dhënë jetën për njerëz që të jetojnë të lirë. Në këtë ditë të përjetorit të thyerjes së kufirit kërkojë nga Institucionet e shtetit që ta trajtojnë më seriozisht Betejën e Kosharës, ta bëjnë organizimin më profesional dhe të ketë një mbështetje për familjet… për shkak se dita ditës po zbehet interesimi dhe po zbehet përkujdesja ndaj kësaj beteje, e cila është beteja më e lavdishme e ndodhur në luftën e Kosovës”, u shpreh ajo.

Vëllai, njëkohësisht edhe bashkëluftëtar i dëshmorit, Abedin Murtezi, Afrimi gjersa shprehu dhimbjen për humbjen e vëllait, të cilit ia kanë gjetur kufomën pesë vjet pas vdekjes, tha se Qeveria nuk është duke i përkrahur mjaftueshëm.

“Kemi qenë dy vëllezër, të dy kemi qenë në luftë. Vëllau ka ardhur nga jashtë dhe ka rënë në maj të vitit 1999, ka ndërruar jetë dhe është zënë rob i plagosur dhe pesë vite nuk kemi mundur ta gjejmë kufomën e tij…Kemi dhimbje, po shihet si është politika dhe si po shkon. Ne jemi ardhur t’i ngushëllojmë dhe t’i kujtojmë këta dëshmorë, sepse këta kanë dhënë jetën më të shtrenjtë për këtë vend dhe prej Qeverisë nuk janë duke i përkrahur aq sa duhet”, tha ai.

Vëllai i dëshmorit Kasim Uka, Përparimi, i cili ka ardhur nga mërgimi, thesoi se janë krenarë që janë familjarë të një dëshmori.

“Sot kemi ardhur këtu në 24 vjetorin e Betejës së Kosharës dhe jemi krenarë që jemi familje e një heroi…E përkujtojmë dhe jemi krenar çdo vit që vijmë këtu nga mërgimi”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Kadë Hajzeri, sikur në çdo përvjetor e ndien dhimbjen e të birit 19-të vjeçar, Shabanit.

Ajo tha se dëshira për luftën drejtë lirisë ka qenë këmbëngulje e të birit, gjersa shtoi se ai u vra së bashku me shokët e tij.

“Është vrarë këtu, jemi duke ardhur sa herë. Këtu e kanë vrarë dhe e kanë lënë. E lamë dhe ne këtu me shokë, nuk kemi mundur ta largojmë, me shokë është vrarë dhe me shokë e kemi lënë….Ndjehem krenare, ka dhënë jetë për këtë tokë, për të gjithë Kosovën…I ri ka qenë, 19-të vjeç, por ashtu mendoi, kishte dëshirë, dua të dal, dua të shkojë. Ishte dëshira e tij, me dëshirë ka dalur…. Kemi ikur nga lufta për në Ulqin dhe aty kemi ndejtur 3 muaj, pas saj e kemi kërkuar dhe na kanë dhënë lajmin që djali është vrarë në Koshare”, u shpreh ajo.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Në Betejën e Koshares së vitit 1999, gjatë dy muajve kanë rënë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së dhe qindra të tjerë janë plagosur. /KP

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img