Site icon PrishtinaPress

Familjarit të Mefit i punësohen vajza, djali dhe qika e axhës në burgun e Prishtinës

Jaha Zeneli, familjar i deputetit të Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, për më shumë se 7 muaj po e mban pozitën e U.D udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve në Shërbimin Korrektues. E në këta muajt e fundit, nepotizmi ka lulëzuar. Zenelit i është punësuar edhe vajza, djali dhe vajza e axhës në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Nacionale sjell detaje.

Në shumë postime në rrjete sociale, Jaha Zeneli e quante dajë deputetin e Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovcin. Më vonë, ai e mohonte se është nip i deputetit, pavarësisht se e kishte shkruar vet nëpër fotografi.

Edhe pse nuk dihet lidhja e saktë familjare mes Zenelit dhe deputetit Bajqinovci, ajo që dihet është se Jaha Zeneli që nga nëntori i vitit të kaluar ka marrë një pozitë të rëndësishme në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nga zyrtari për trajtimin e të burgosurve dhe çështjeve sociale, Zeneli është bërë U.D i udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve.

Pavarësisht se në vendimin që e ka siguruar Nacionale thuhej se vendimi është i përkohshëm dhe jo më shumë se gjashtë muaj, Zeneli vazhdon ta ushtrojë këtë detyrë pavarësisht se vendimi nuk vlente më shumë se gjashtë muaj.

Nacionale ka mësuar se pozitën e tillë me U.D, Jaha Zeneli, e mban për një periudhë edhe më të gjatë.

Megjithatë, nuk mbarojnë me kaq dyshimet për veprime të paligjshme. Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se brenda një kohe të shkurtër, Jaha Zenelit, familjarit të Mefail Bajqinovcit, i janë punësuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë edhe vajza, djali dhe vajza e axhës.

Vajza e Jaha Zenelit, Valmire Zeneli, është punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës në cilësinë e zyrtares korrektuese. Vendimin për emërimin e vajzës së Jaha Zenelit ka datën 7 nëntor 2023. Vetëm 2 javë para se babai i Valmirës të avancohej në pozitën e Udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin të Burgosurve.

Pra, 2 javë para se Jaha Zeneli të avancohet, atij iu rehatua vajza në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Nacionale e ka siguruar edhe akt-emërimin për vajzën e Zenelit, megjithatë për qëllime të ruajtjes së burimit nuk do ta publikojë dokumentin.

Nepotizmi nuk është ndalur me kaq. Më 12 janar 2024, disa javë pasi Jaha Zeneli avancohet si udhëheqës, djali i tij, Ermal Zeneli, gjithashtu përzgjedhet për kadet zyrtar korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë. Pra, motër e vëlla kolegë bëhen kolegë të punës brenda pak muajsh. Edhe për këtë emërim, Nacionalja e ka siguruar vendimin e shkruar, por nuk do ta publikojë me qëllim të ruajtjes së burimit.

Pikërisht në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, është punësuar edhe një tjetër familjare e Jaha Zenelit, ‘nipit’ të famshëm të Mefail Bajqinovcit. Burimet e afërta me zhvillimet i kanë thënë Nacionales se vajza e axhës së Jaha Zenelit, Naime Zeneli, është punësuar si kuzhiniere në burgun e Prishtinës.

Pra, përderisa vet Jaha Zeneli e mban pozitën e Udhëheqësit me dyshime për shkelje të ligjit, brenda pak kohësh atij i punësohen në Shërbim Korrektues të Kosovës 3 familjarë të afërt.

Gazeta Nacionale e ka kontaktuar Jaha Zenelin për të marrë një qëndrim nga ai lidhur me punësimet dhe për ta kuptuar më saktë lidhjen familjare me deputetin e VV-së, megjithatë Zeneli ka qenë i paqasshëm.

Pasi kishte publikuar disa fotografi me Mefin në rrjete sociale, Jaha Zeneli më pas ishte distancuar nga lidhja familjare nip e dajë.

“Me M. Bajqinovcin njihemi vetëm nga pranvera e vitit 2019, arsyeja pse i them dajë është se nëna ime është nga ajo anë, prej nga ishin të parët, katragjyshët e M. Bajqinovcit, mirëpo nuk kanë asnjë lidhje farefisnore, në asnjë shkallë gjenetike të lidhjes. Kjo ka mbetë si traditë, unë në shenjë respekti, të gjithë njerëzve të asaj ane iu them dajë. kjo është e tëra, mund ta vërtetoni si të doni dhe kur të doni”, shkruante Jaha Zeneli nëpër rrjete sociale.

Të gjitha informacionet e Nacionales janë konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Megjithatë, ata kanë dhënë disa arsyetime.

Ata kanë bërë të ditur se vendimi për Jaha Zenelin në pozitën e Udhëheqësit, është vazhduar edhe për 6 muaj të tjerë.

“Z. Jaha Zeneli është caktuar në pozitën U.D i Udhëheqësit të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve me datë:21/011/2023 për gashtë muaj, vendimi për ushtrimin e kësaj pozite i është vazhduar edhe për gjashtë muaj me datë 06.06.2024”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Për punësimin e djalit të Jaha Zenelit, Ermalit, Shërbimi Korrektues ka theksuar se ai ka qenë në listë të pritjes.

“Z. Ermal Zeneli, ka aplikuar për pozitën kadet për zyrtar korrektues, ka kaluar fazat e testimit dhe ka mbet në listën e pritjes pasi që nuk ishte në listën e 18 kandidatëve fitues për Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, deri në fillimin e trajnimit profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike nga procesi i rekrutimit i janë tërhequr dy kandidatet fituese. Lista është plotësuar me kandidatët që kanë qenë në pritje me më së shumti pikë, ku është kualifikuar edhe z. Ermal Zeneli”, thuhet në përgjigje.

Lidhur me punësimin e vajzës së Jaha Zenelit, ShKK është arsyetuar me mungesën e aplikimeve nga gratë për zyrtare korrektuese.

“Znj. Valmire Zeneli është punësuar në SHKK me date 11.05.2022, në konkursin për zyrtare korrektuese Gra, ku interesi për punësim ishe mjaft i vogël”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Shërbimi Korrektues e ka konfirmuar se edhe Naime Zeneli punon si kuzhiniere, megjithatë, kanë theksuar se nuk e dijnë nëse ka lidhje familjare me udhëheqësin Jaha Zeneli.

“Znj. Naime Zeneli është punësuar me datë:11.05.2022 titulli i Kontratës ,, Nëpunës Civil’’ – Kuzhinierë në QP-Prishtinë, ku konkursi është shpallur disa herë në mungesë të aplikantëve, ndërsa nuk kemi asnjë informacion se e njëjta ka lidhje familjare me Jaha Zenelin. Konkurse te tilla ka pothuajse ne te gjitha institucionet korrektuese, por kemi mungese te aplikantëve”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është përgjigjur lidhur me akuzat për nepotizëm në këtë institucion, e as për mundësinë që të ketë pasur ndikime nga deputeti Mefail Bajqinovci.

Exit mobile version