Site icon PrishtinaPress

Familjari që humbi motrën e mbesën në aksident: Sot ishte caktuar dita e fejesës, prandaj janë nisur vijnë më herët

Vëllau i Valentina Binakaj, e cila humbi jetën tragjikisht bashkë me vajzën e saj, Erlindën në aksidentin e së dielës në Kroaci ka folur pas ceremonisë së varrimit në Gjakovë.

Ai për T7 tha se motra e tij, Valentina kishte vdekur në vend të ngjarjes ndërsa për mbesën e tij tha se paraprakisht nuk kishin njohuri por e kishin njohur përmes këpucëve të saj.

“Ceremonia e varrimit shkoi shumë mirë, jemi popull shumë human, me kulturë të lashtë. Falenderoj komunën për organizimin që e ka bërë, ne si familjarë nuk kemi pasë shumë obligime. Sa i përket viktimave ju shprehi ngushëllime të gjitha familjeve që i kanë humbur të dashurit e tyre”, tha ai.

Tutje ai shtoi se të dyja kishin marrë rrugën për në Kosovë për shkak të një fejese që kishin organizuar familja e tyre për sot.

“Shumë rëndë. Janë mundu me më kontaktu motrat kur kanë marrë lajmin nga mbesat tona. Kam qenë në gjumë se kam qenë në punë natën. Djali më ka zgjuar nga gjumi më tha dicka i ka ndodhë hallës. Nga mbesa e kam marrë lajmin se motra ka vdekur në vend, mbesën në bazë të këpucave, të këmbëve e kanë njohur që është ajo. E madhja ka dashtë zoti që me ato lëndime të mbijetoi, pak trauma kanë. Sot ka qenë dita e fejesës kur u caktu, ka qenë edhe arsyeja pse kanë udhëtu 3-4 ditë përpara edhe me e kry ceremoninë”, shtoi ai.

Nënë e bijë nga komuna e Gjakovës që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci u varrosën sot në vendin e tyre të lindjes.

45-vjeçarja, Valentina Binakaj dhe e bija 18-vjeçare, Erlinda Binakaj, fatkeqsisht nuk arritën t’i mbijetojnë tragjedisë të dielën në mëngjes në Slavonski Brod të Kroacisë.

Mes dhimbjes e lotëve para pak çastesh atyre iu dha lamtumira e fundit.

Dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod.

Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.

Exit mobile version