1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Familjarët e të zhdukurve pak shpresa nga deklarata e miratuar në Bruksel

Familjarë të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë thanë të martën se kanë shpresa të pakta nga deklarata për të zhdukurit, që u miratua më 2 maj në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Bajram Qerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur në Kosovë, tha gjatë një debati në qendrën mediale në Çagllavicë afër Prishtinës se për shumë nga pjesët e kësaj deklarate palët janë zotuar edhe më parë.

“Unë që nga fillimi jam i përfshirë në këtë proces, nuk kam mundur të gjejë asnjë fjalë që nuk e kam dëgjuar deri sot. Të gjitha këto pika të cilat sot i përmendin politikanët kanë qenë në strategjinë e vitit 2010. Bëj pyetje a thua e vendosin gishtin në kokë këta politikanë se çfarë ka ndodhur për të stagnuar plot qe 24 muaj pa u mbajtur një takim i grupit punues apo komisioneve qeveritare?”, tha zoti Qerkinaj.

Në deklaratë thuhet se palët do të “bashkëpunojnë ngushtë në identifikimin e lokacioneve të varrezave dhe të angazhohen në gërmimin e tyre, do të sigurojnë qasje të plotë në informata të besueshme e të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur gjatë periudhës kohore nga një janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000”. Më tej thuhet se këtu përfshihen “të gjitha materialet, shkrimet, urdhrat, dokumentet, video incizimet, audio incizimet dhe çfarëdo lloj dokumenti tjetër, duke përfshirë edhe ato që cilësohen si të klasifikuara në institucionet përkatëse të të dyja palëve”.

Silvana Marinkoviç nga Shoqata e Familjarëve të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në komunën e Graçanicës, tha se çështja e të zhdukurve po vazhdon të politizohet ndërsa bëri thirrje që të mos harrohet karakteri i saj humanitar.

“Me vet faktin që kjo çështje është duke u trajtuar në nivel politik për neve paraqet joseriozitet të madh, edhe pse gjithmonë thuhet se kjo çështje është humanitare dhe nuk do të duhej të kishte lidhje me politikën, sërish deri tash është dëshmuar se është politike. Nuk është hera e parë që ka një pajtim të ngjashëm por që nuk është zbatuar kurrë”, tha ajo.

Jasmina Zhivkoviç nga Shoqata e Familjarëve të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në komunën e Shtërpcës, tha se teksti i kësaj deklarate është shumë i përgjithshëm dhe se nuk përmban hollësi as afate kohore që do t’i detyronin palët t’i përmbushin.

“Ne si familjarë besojmë që ekzistojnë informatat dhe se gjithmonë kanë ekzistuar, prandaj bëjmë thirrje që këto informata të dalin sa më parë në pah në mënyrë që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur me të dashurit tonë”, tha ajo.

Edhe 24 vjet pas luftës në Kosovë, ende nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave të zhdukur, shumica e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Veprimtarët humanitarë në Kosovë e vlerësojnë lajm të mirë miratimin e deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, ndonëse siç thonë përmban elemente që janë përmendur edhe në të kaluarën. Sipas tyre një ndër pikat e rëndësishme është ofrimi i dokumenteve për zbulimin e fatit të personave të zhdukur, duke përfshirë edhe dokumentet e klasifikuara.

Miratimi i kësaj deklarate është pjesë e marrëveshjes së arritur me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img