5.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Familjarët e fëmijës që Rozeta Hajdari e shkeli me veturë ankohen për devijim të hetimeve

Familjarët e fëmijës, të cilin Ministrja Rozeta Hajdari e shkeli me veturë, janë ankuar në Inspektoratin Policor të Kosovës, raporton Express.

Sipas Periskopit, ankesa është bërë nën dyshimin për devijim të hetimeve.

Se familja ka dorëzuar ankesë e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i këtij institucioni, Arbër Beka, por s’ka dhënë detaje tjera.

“Ju konfirmojmë se IPK ka pranuar ankesë lidhur me rastin në fjalë. Rasti ështē duke u trajtuar në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave në IPK’’, ka thënë IPK pa dhënë ndonjë detaj shtesë”, ka deklaruar Beka për Express.

Aksidenti që ndodhi në maj të këtij viti, ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh.

Rasti ishte hapur si “aksident trafiku me lëndime”.

“AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME /Rr. Vicianum, Prishtinë (NN) 10.04.2022 – 12:25. E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhej në raport.

Ndërkohë, vetë e përfshira në këtë aksident, Ministrja Hajdari u deklarua për rastin vetëm pas raportimeve të mediave.

Ajo doli me një deklaratë me të cilën shkaktoi reagime publike duke thënë se “një fëmijë u përplas në veturën e saj”.

Përmes një postimi në Facebook, ajo kishte shkruar se i ka ofruar ndihmë fëmijës dhe ka njoftuar organet kompetente.

Hajdari ka thënë se pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija është kthyer në shtëpi.

“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit. Ndihem më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi”, kishte shkruar Hajdari.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, disa ditë pas aksidentit, kishte thënë se i beson versionit të ministres dhe se policia po merret me rastin.

“Me keqardhjen time të thellë me atë çfarë ka ndodhur me aksidentin në të cilin është lënduar një fëmijë, unë nuk kam të tjera informacione përveç sqarimeve që i ka dhënë ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe më duhet të them se i besoj. Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me ç’ka kam kuptuar nuk ka shenja në asfalt të frenimit që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër seç duhet. Policia e ka rastin, kamerat e marketit janë aty, besoj që gjithçka do të sqarohet shumë shpejtë”, kishte deklaruar Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img