Në shtator të vitit 2013 derisa me Prishtinën po menaxhonte Isa Mustafa, kompania “Redoni” filloi të ndërtojë ilegalisht në lagjen “Arbëria 3” dhe si pasojë e rrëshqitjes se dheut u shemb Rruga “Ekrem Rexha”. Organet komunale i bënë fletëparaqitje kompanisë investuese në Gjykatë.
Nën shoqërinë e disa personave me birra e mish, Milot Sejdiu, u shfaq në një fotografi që tregonte gëzimin e marrjes së lejes së ndërtimit nga ana e Investitorit N.T.SH “Redoni”, në vendin ku kishte rrëshqitur dheu dy vjet më parë. Miloti, i cili është familjar i nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiut, nuk ishte investitor as projektues i kompleksit banesor, por ishte shfaqur i gëzuar mes miqve. Në fotografi, duke festuar janë prezent përfaqësues të kompanisë investuese dhe të kompanisë projektuese. Miloti është militant i Lëvizjes Vetëvendosje. Fotografia është bërë më 18 shtator, në ditën e marrjes së lejes të shumë objekteve banesorë-afarizëm me etazhitet B+3S+P+6, raporton lajmi.net.
Sipërfaqja totale ndërtimore në metër katrorë për këtë objekt është 9, 204.56 m2, ndërsa, pagesa totale e lejes së lëshuar është 165 mijë e 266 euro. Sipas lejes së ndërtimit, e cila është e publikuar në ueb-faqe të Komunës; pronarë që e kanë marrë lejen janë Sami Maxhuni, Fidan Behluli, Arsim Shala, Xheladin Osmani dhe Hamit Ymeri nga Prishtina, me përfaqësues Sami Maxhuni. Projektuesi i objektit është N.P.N “Toning”, me pronar Faton Hoxha.
Komuna e Prishtinës vitin e kaluar e kishte kontraktuar Institutin Gjeologjik të Kroacisë që të bëjë hulumtimet që shpjegon se si do të bëhet rehabilitimi i vend-rrëshqitjes në lagjen “Arbëria” dhe cilat parametra duhet të fitohen për t’u fituar leja e ndërtimit në atë vend. Por, Komuna e Prishtinës nuk e ka pritur raportin final të këtij Instituti, i cili pritet të finalizohet në ndërkohë.
Rrëshqitja e dheut dhe fletëparaqitja në gjykatë ndaj kompanisë.
Në shtator të vitit 2013, nga ndërtimi ilegal që bëheshin pak metra poshtë objektit të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria, kishte rrëshqitur dheu dhe ishte dëmtuar rruga “Ekrem Rexha”, raporton lajmi.net.
Më 30 shator 2013, Komuna e cila udhëhiqej nga Isa Mustafa kishte lëshuar një komunikatë për medie, ku faksonte kompaninë “Redoni” për shembjen e rrugës, ndërkohë që sipas Komunës, kompania po ndërtonte pa leje. Për këtë veprim organet komunale kishte paralajmëruar edhe me fletëparaqitje në Gjykatë ndaj kompanisë. “Komuna e Prishtinës informon qytetarët se pa leje të Komunës, me ndërhyrjen e kompanisë ‘Redoni’, ka ndodhur rrëshqitja e dheut, duke bërë kështu që të rrëshqas edhe rruga ‘Ekrem Rexha’ në lagjen Arbëria. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Inspeksionit, ndërhyrja ilegale dhe e papërgjegjshme e kompanisë “Redoni” në hapjen e gropës ka ndodhur gjatë ditëve të fundjavës. Ndërkaq, inspeksioni komunal ka bërë menjëherë ndalimin e punimeve dhe e ka obliguar kompaninë që të ndërmarrë masat e nevojshme për sigurimin e rrugës, e cila është në ndërtim e sipër”, thuhej në komunikatën e komunës.
Më pas Komuna kishte urdhëruar kompaninë “Redoni” që të bëjë sanimin dhe kthimin e gjendjes se mëparshme në rrugë.
Komuna lëshoi leje për rastin, i cili është në proces në Gjykatë.
Para pak muajve, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 Inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, lidhur me disa keqpërdorime të mundshme që janë bërë në kohën sa më Prishtinën udhëhequr nga LDK-ja. Disa nga Inspektorët janë akuzuar nga Prokuroria se i kishin mundësuar kompanisë “Redoni” në vitin 2013 që të ndërtonte pa leje, ndërkohë që kompania kishte shkaktuar rrezik të përgjithshëm.
“Të pandehurit Ardian Muhadri, Blerim Ibishi dhe Mërgim Shala, inspektorët e ndërtimit, përgjegjës për zonën “Arbëria” në Prishtinë dhe të pandehurit Ismet Haliti, UD i shefit të Sektorit të Inspekcionit për Ndërtim dhe Skender Canolli, zyrtarë për përmbarim, nga data 01.08.2013 deri më 27.12.2013, nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore dhe nuk e kanë ekzekutuar vendimin për rrënim, 09 nr. 356-138458 të datës 05.11.2013, në objektin i cili gjendet në rr. “Ekrem Hoxha”, duke i mundësuar investitorit “REDONI”, me pronar Fadil Maxhuni, që të realizojë përfitim material, duke ndërtuar objektin kolektiv banesor pa lejen e ndërtimit”, thuhet në aktakuzën e përbashkët për dhjetë inspektorë, të cilët janë duke u përballur me drejtësinë.
“Dëshmitari Fadil Maxhuni, pronar i kompanisë “Redoni”, në procesverbalin e datës 22.05.2014 ka deklaruar se në muajin gusht 2013 ka filluar gropimin e dheut për ndërtimin e një objekti kolektiv banesor, për të cilin ka pasur leje urbanistike, por jo edhe lejen për ndërtim. Me datë 30.09.2013 si pasojë e të reshurave të shiut ka ardhur deri te shembja e rrugës dhe deformimi i shtyllave mbrojtëse të rrugës afër objektit në fjalë. Pas kësaj fatkeqësie sipas ekspertit, një ekip i ekspertëve ka kërkuar që të sanohet rruga e shembur me vendosjen e pilotëve në sipërfaqe prej 35m dhe ndërtimin e murit mbrojtës, duke e sanuar deri në nivelin e rrugës. Për ta realizuar këtë kërkesë të ekspertëve dëshmitari thotë se i është dashur që ta betonojë – të vendos plloqën e betonit të themeleve të objektit, si dhe ta ndërtojë katin e parë deri në nivelin e sipërm të rrugës, e cila ishte e shembur si pasojë e të reshurave të shiut. Ky dëshmitar, po ashtu ka deklaruar se pasi që i ka përfunduar këto punime nuk ka ndërmarrë asnjë punim tjetër në objekt, ndërsa me datë 10 janar 2014 kërkesa e tij për lëshimin e lejes ndërtimore është refuzuar nga Komuna e Prishtinës”, thuhet tutje në aktakuzë.
Zyra për informim e Komunës së Prishtinës nuk ka dashur të deklarohet asgjë, lidhur me këtë lejë të ndërtimit. Nuk kanë dashur të deklarohen as përfaqësuesit e kompanisë investuese “Redoni”.