Site icon PrishtinaPress

Familja e suedezit të arrestuar në Iran bën thirrje për mbështetje ndërkombëtare

Familja e një shtetasi suedez që punon për Bashkimin Evropian, i cili është arrestuar në Iran, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kontribuojë në lirimin e tij.

Johan Floderus ndodhet prej më shumë se 500 ditësh në qelitë iraniane nën dyshimet për spiunazh, tha familja e tij të dielën.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të martën se burgimi i zotit Johan Floderus ishte ngritur në mënyrë të përsëritur me autoritetet iraniane.

“Familja, miqtë dhe mbështetësit e Johanit po bëjnë thirrje për vëmendje urgjente ndërkombëtare për të siguruar lirimin e tij të menjëhershëm dhe kthimin e sigurt në Evropë”, shkruante familja në një faqe interneti kushtuar lirimit të tij, në ditëlindjen e 33 të Johanit.

Ata thanë se zoti Floderus po mbahej pa akuza zyrtare në burgun Evin të Teheranit, ku dërgohen të burgosurit politikë dhe shumë të burgosur që përballen me akuza sigurie, përfshirë iranianë me shtetësi të dyfishtë.

Familja e tij tha se zoti Floderus kishte udhëtuar në të gjithë Lindjen e Mesme për të studiuar gjuhët, për të eksploruar vendet historike dhe për të mbështetur projektet e bashkëpunimit humanitar në Iran në emër të BE-së. Ai u arrestua në prill të vitit 2022 përpara se të largohej nga Irani.

“Nevojat e tij për racione ushqimore adekuate, dalje në ambjentet e jashtme, kontrolle mjekësore dhe të tjera, nuk respektohen (në burg)”, shprehet familja e tij, duke shtuar se atij i ishte mohuar “komunikimi” me ambasadën e Suedisë në Teheran, përveç disa vizitave konsullore.

Ata thanë se duke filluar nga shkurti i këtij vitit, zoti Floderus u kufizua në një telefonatë të shkurtër në muaj.

Për vite me radhë, Garda Revolucionare e Iranit ka arrestuar dhjetëra individë me shtetësi të dyfishtë dhe të huaj, kryesisht për spiunazh dhe akuza të lidhura me sigurinë.

Grupe të të drejtave të njeriut dhe qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Iranin se po kryen arrestime me qëllim shantazhimin e vendeve të tjera për lëshime politike.

Teherani thotë se arrestime të tilla bazohen në kodin penal dhe mohon të mbajë njerëz për arsye politike.

Marrëdhëniet mes Stokholmit dhe Teheranit kanë qenë të tensionuara që nga viti 2019 kur Suedia arrestoi një ish-zyrtar iranian për pjesmarrje në ekzekutimin masiv dhe torturimin e të burgosurve politikë në Iran në vitet 1980. Ai u dënua me burgim të përjetshëm vitin e kaluar, duke bërë që Irani të tërheqë të dërguarin e tij në Suedi në shenjë proteste. /VOA

Exit mobile version