Të premten, në njëvjetorin e vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi, Qeveria kishte organizuar vënien e gurthemelit për shtatoren e tij.
Mirëpo, edhe pse konkursi ishte rishpallur dhe është përzgjedhur modeli i shtatorës, ky konkurs është anuluar.
Jahja Lluka nga zyra e kryeministrit në një deklaratë dhënë Telegrafit, ka thënë se arsyeja e anulimit të konkursit ishte pasi që familja e veprimtarit Demaçi nuk ishte e kënaqur me përzgjedhjen.
“Pas ankesës së familjes, e cila nuk ka qenë e kënaqur për përzgjedhjen, është tërhequr konkursi – edhe pse nuk ka pasur asnjë ankesë tjetër. Por, për shkak të respektit ndaj familjes e kemi parë të arsyeshme si komision që ta anulojmë, dhe ta rishpallim konkursin – me shpresë që në konkursin e ri do të ketë edhe më shumë pjesëmarrës dhe eventualisht kualitet më të mirë”, ka thënë ai.
Lluka ka thënë se në konkursin që ishte, ka pasur aplikues edhe nga Shqipëria.
“Në konkursin që ishte, kanë qenë tetë aplikues, ka pasur edhe nga Shqipëria, dhe mund të themi se ka qenë konkurs ndërkombëtar. Është zgjedhur më i miri në bazë të votave që i ka marrë nga komisioni profesional, por, pasi që familja nuk ishte e kënaqur me përzgjedhjen, në shenjë respekti të punës dhe figurës së Adem Demaçit, kemi vendosur ta anulojmë dhe ta rishpallim”, është shprehur ai.
Sipas tij, konkursi i ri pritet të shpallet shumë shpejt.
Ndryshe, shtatorja ishte paralajmëruar të vendosej te “Rrethrrotullimi i flamurit”, në hyrjen jugore të Prishtinës, dhe do të përurohej më 28 nëntor