Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), sot ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit me inicialet S.F për zhdukjen e mjekut nga Drenasit, Hafir Shala.
Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri S.F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku edhe me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, me datë 10.04.1998, derisa mjeku Hafir Shala, po udhëtonte me veturë private nga Gllogoci për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H.S dhe Sh.H, me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës, afër aeroportit të Prishtinës, të njëjtit janë ndaluar nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë Serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S.F, në atë mënyrë që pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H.Sh. ishte marrë nga i pandehuri S.F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S.F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë.
I biri i doktorit Hafir Shala, Gentriti, nuk ka shumë shpresë se do të zgjidhet fati i babit të tij, duke marrë parasysh që kanë kaluar 25 vjet nga koha kur është zhdukur ai.
“Natyrisht që ne e mirëpresim hapin që ka marrë Prokuroria Speciale për të zgjidhur çështjen e babait tim të zhdukur, mirëpo konsideroi se kjo aktakuzë është e vonuar pasi që njëri prej të dyshuarve kryesor që kas pas gisht në këtë rast, më nuk jeton”, ka thënë Gentriti duke shtuar se kjo aktakuzë është ngritur ndaj një serbi që nuk jeton prej pasluftës në Kosovë.
Ai dyshon se kjo aktakuzë do të mbetet në letër duke e ditur se Serbia nuk bashkëpunon me Kosovën për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur.
“Dihet që babai im ka qenë i ndaluar me urdhër të Sigurimit Shtetëror të Serbisë dhe sipas dëshmitarëve ai është ndalu dhe më pas është dërguar në stacionin nr 1 të policisë ku është rrah e maltretu, por në bazë të informatave që kemi si familje, në arkivat serbe kjo nuk është evidentuar askund me shkrim, me qëllim humbjen e gjurmëve”, ka thënë ai për IndeksOnline.
I pandehuri S.F sipas prokurorisë speciale, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.