Site icon PrishtinaPress

Familja e Agonis Tetaj bojkoton gjykimin për djalin e tyre: Ndihemi të maltretuar

Vrasja e Agonis Tetaj për të cilën akuzohet Shaban Gogaj si dhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë pasi që gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Gogajn me 7 vite e gjashtë muaj burg.

Familja e viktimës, Agonis Tetaj ka bojkotuar gjykimin pasi sipas tyre aryset e zvarritjes së procedurës kanë qenë banale dhe janë shprehur se ndihen të maltretuar nga procesi gjyqësor.

Ata kanë njoftuar gjykatën se nuk do të marrin më pjesë në seancat lidhur me gjykimin e kësaj çështje.

Këtë e ka bërë të ditur për Insajderin avokati i cili përfaqëson familjen e viktimës, Berat Tmava.

Tmava kishte deponuar një parashtresë në gjykatën e Pejës me gjashtë korrik të këtij viti.

Sipas kësaj shkrese, familja e viktimës e ka humbur shpresën në drejtësi.

“Familja e dëmtuar Tetaj, i ka humbur shpresat tek ju se mund të vendosni drejtë në këtë çështje juridiko – penale, familja e dëmtuar nuk i beson këtij trupi gjykues dhe se nuk jeni të denjë që ta udhëhiqni këtë proces gjyqësor, e edhe për këtë arsyeje nuk do të prezantojmë në këtë proces gjyqësor të udhëhequr nga ana juaj” – thuhet në parashtresën e avokatit në emër të familjarëve.

Me rastin e tërheqjes nga pjesëmarrja në këtë procedurë, familjes e viktimës ka ngritur dyshime ndaj trupit gjykues edhe për shkeljen e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me pjesëmarrjen e avokatit Besnik Berisha.

Avokati Besnik Berisha ka qenë i përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj me vendim të datës së 28 qershorit të vitit 2021, gjatë seancës në po këtë date përgjatë së cilës i ishte tërhequr vërejtja vazhdimisht.

Kujtojmë se Agonis Tetaj u vra në shtator të vitit 2018 në komunën e Deçanit në vendin e punës. Aty Tetaj ishte duke punuar, dhe i njëjti u vra nga djali i pronarit.

Edhe në Maj të këtij viti familja e Agonis Tetaj kishte bojkotuar seancën.

Exit mobile version