Site icon PrishtinaPress

Falja e Kurban Bajramit nuk do të bëhet në sheshet e Prishtinës

Kanë mbetur edhe pak ditë deri te Festa e Kurban Bajramit. Në këtë ditë besimtarët myslimanë bashkohen në numër më të madh nëpër xhami për ta falur Namazin e Kurban Bajramit.
Në Fitër Bajramin e kaluar ka pasur iniciativë të disa qytetarëve që falja e namazit të bëhet në ndonjërin nga sheshet e Prishtinës.
Por, Bashkësia Islame e Kosovës nuk e kishte organizuar këtë ritual, i cili nuk do të ndodh as tash.

Sipas Resul Rexhepit, sekretar i BIK-ut, edhe këtë herë Bajrami do të falet si zakonisht nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës.
“Nuk e shohim të arsyeshme që t’i mbyllim xhamitë e kryeqytetit për ta falë namazin në cilindo shesh”, ka thënë Rexhepi për klankosova.tv.
Ai ka pranuar se në këso ditë njerëzit falen edhe në oborre, edhe në rrugë pranë xhamive, pasi që hapësira e tyre është më e vogël karshi numrit të të interesuarve.
“Është realitet i pamohueshëm – hapësira mungon, por ne prapë do të falemi nëpër xhami”.

Ky mosorganizim që është përmendur nga vetë besimtarët, sipas Rexhepit, nuk po lihet për shkak të ndonjë problemi potencial.
“Nuk kemi ndonjë telashe rreth sigurisë, sepse janë organet përkatëse që ofrojnë siguri të mjaftuar dhe kjo kurrë nuk na ka munguar”.
“Megjithatë, besimtarët tanë do t’i zbukurojnë xhamitë me prezencën e tyre”.
Rexhepi jep arsyet pse në Kosovë nuk po veprohet njëjtë si në Shqipëri.
“Rasti i Shqipërisë është pak më ndryshe pasi atje numri i objekteve fetare është më i vogël, prandaj besimtarët detyrohen të dalin nëpër sheshe”.
“Nuk e di si do t’ia bëjnë kur të ndërtohen xhamitë”.
Ai ka përmendur se BIK-u dhe besimtarët myslimanë janë në pritje që komuna të japë leje për ndërtimin e Xhamisë Qendrore që po iu mungon shumë.
Madje, sipas tij, presin që kjo të ndodhë për këtë Kurban Bajram.
“Besimtarët janë në pritje që t’i gëzohen kësaj xhamie, dhe jo vetëm ata kryeqytetas”.
Edhe në Komunën e Prishtinës kanë thënë se një organizim i tillë nuk do të ndodh.
Zyrtarët për media të Komunës kanë konfirmuar për klankosova.tv se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për shfrytëzim të ndonjërit nga sheshet e kryeqytetit për faljen e Kurban Bajramit.

Exit mobile version