Site icon PrishtinaPress

Falënderim i veçantë nga Turqia, publikon videon e shpëtimit të 2-vjeçares nga FSK-ja

Pas tërmetit të fortë e shkatërrues 7.8 ballë që goditi më 6 shkurt Turqinë dhe preku edhe Sirinë, në ndihmë kanë shkuar dhjetëra ekipe e mijëra njerëz për kërkim-shpëtim dhe ndihmë për të prekurit.

Kosova menjëherë një ditë pas tërmetit të së hënës dërgoi ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të ndihmuar në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat në një prej zonave më të dëmtuara. Trupat e Kosovës zbarkuan në Hatay të Turqisë, një qytet të cilin vetë ata e quajtën një “tmerr”.

Pas ekipit të FSK-së, Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim dërgoi ekipin e saj po ashtu në Hatay. Të dy këto ekipe nxorën të mbijetuar nga rrënojat, përfshirë edhe fëmijë.

E disa ditë më pas, kur rastisi të ishte edhe Dita e Pavarësisë së Kosovës, Turqia ka falënderuar të gjitha shtetet që e ndihmuan, përfshirë edhe Kosovën.

Në gjuhët e 145 shteteve ndihmëse, përmes një video të shpërndarë nga ministri turk i Punëve të Jashtme, Turqia ka falënderuar ato dhe organizatat ndërkombëtare.

“Miku i mirë shihet në ditë të vështira! Jemi mirënjohës”, ka shkruar ministri Mevlut Cavusoglu.

Exit mobile version