Në një bisedë me Gazetën Express, Fajon ka thënë se pret që “KE të publikojë vlerësimin e tij rreth Përmbushjes së kritereve për regjim pa viza për Kosovën në kohën e duhur”.
“Shpresoj që kjo të ndodhë para pushimit të verës”, është shprehur ajo.
Fajon ka thënë se sapo të dalë ky raport, Komisioni për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian do të veprojë “menjëherë”.
Në pritje të njoftimit nga KE për përmbushjen e kritereve nga Kosova, Komisioni LIBE i PE’së e kishte vënë në rend të ditës votimin për këtë raport për datën 10 korrik. Mirëpo, këtë pikë e ka larguar nga rendi i ditës, për shkak të mospublikimit të raportit nga KE’ja.
“Si raportuese, unë do të përpiqem të siguroj një mbështetje solide në Parlamentin Evropian. Mbetem plotësisht e vendosur të vazhdoj angazhimin tim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, për bashkëpunimin tonë politik dhe ekonomik, dhe për kontaktet e njerëzve me njerëz”, ka thënë Fajon.
“Ndërkohë, ne duhet të vazhdojmë punën e madhe dhe dialogun ndërmjet të gjithë aktorëve përgjegjës; në Kosovë dhe në BE. Është një proces i gjatë dhe kërkues”, ka theksuar ajo.
“Prandaj, është më se e rëndësishme që Kosova të vazhdojë zbatimin e kritereve”, ka shtuar Fajon.
Ajo ka thënë se vendimi përfundimtar do të jetë në duart e qeverive të BE’së, dhe se ato duhet të sigurohen që Kosova është vërtet e gatshme para heqjes së vizave për qytetarët e saj.