12.6 C
Pristina
Monday, April 14, 2025

Buy now

spot_img

Evropianët po anulojnë masivisht udhëtimet në SHBA

Numri i udhëtarëve evropianë që vizitojnë SHBA-në ka rënë ndjeshëm për shkak të tensioneve politike dhe ekonomike dhe frikës nga një politikë armiqësore kufitare nën presidentin Donald Trump, e cila tani po kërcënon linjat ajrore më fitimprurëse në botë, shkruan Financial Times.

Numri i vizitorëve nga Evropa Perëndimore që kaluan të paktën një natë në SHBA në mars ra 17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Administrata Ndërkombëtare e Tregtisë e SHBA (ITA).

Sipas analizave të Financial Times, udhëtimet nga disa vende, përfshirë Irlandën, Norvegjinë dhe Gjermaninë, ranë me më shumë se 20%.

Një kërcënim serioz për turizmin amerikan

Bëhet e ditur se ky trend është një kërcënim serioz për industrinë e turizmit në SHBA, e cila përbën 2.5% të GDP-së.

Disa linja ajrore dhe hotele po paralajmërojnë tashmë për një rënie të kërkesës për fluturime transatlantike dhe një “përshtypje negative” që përhapet për udhëtimet në SHBA.

Numri i përgjithshëm i vizitorëve jashtë shtetit ra 12% në mars krahasuar me vitin e kaluar – rënia më e madhe që nga marsi 2021, kur sektori i udhëtimeve ishte ende i goditur rëndë nga kufizimet pandemike, tregojnë të dhënat e ITA.

“Trump ka shkatërruar reputacionin e SHBA-së në vetëm dy muaj, gjë që mund të shihet përmes rënies së udhëtimeve nga BE-ja në SHBA”, tha Paul English, bashkëthemelues i platformës së udhëtimit Kayak.

“Nuk është vetëm një goditje tjetër për ekonominë amerikane, por dëmtimi i reputacionit që do të jetë i vështirë për t’u riparuar për breza.”

https://x.com/jburnmurdoch/status/1910770466018427014

Rrugët më fitimprurëse në botë

Linjat transatlantike janë ndër më fitimprurëset në botë dhe linjat ajrore kanë parë kërkesë të madhe pas pandemisë, veçanërisht për ulëse premium.

Virgin Atlantic javën e kaluar paralajmëroi për një rënie “të moderuar” të kërkesës nga pasagjerët amerikanë për fluturime përtej Atlantikut, ndërsa CEO i Air France-KLM Ben Smith tha se kompanisë iu desh të ulte tarifat ekonomike për shkak të një “ngadalësimi të lehtë të tregut”.

Megjithatë, British Airways (në pronësi të IAG) dhe Delta Air Lines thanë se nuk po shohin një rënie të interesit deri më tani.

Suksesi i linjave ajrore është i lidhur ngushtë me shëndetin e përgjithshëm të ekonomisë, pasi konsumatorët shpesh e shtyjnë udhëtimin në kohë recesioni.

Analistët e Barclays thanë këtë javë se ata mbeten të shqetësuar për rrugët transatlantike, ku ata presin që një “rënie e papritur” të bëhet realitet.

Numri i rezervimeve verore nga turistët europianë ka rënë ndjeshëm

Naren Shaam, CEO i platformës online të rezervimit të udhëtimeve Omio, tha se shkalla e anulimit për udhëtimet në SHBA në tremujorin e parë ishte 16% më e lartë se vitin e kaluar – me një përqindje veçanërisht të lartë të anulimeve midis udhëtarëve nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, ku deri në 40% të rezervimeve u anuluan.

Drejtori ekzekutiv i gjigantit francez të hoteleve Accor, Sebastien Bazin, tha se raportet e turistëve që mbaheshin në kufirin e SHBA-së krijuan një “përshtypje të keqe” për udhëtimin në SHBA.

Accor njoftoi javën e kaluar se rezervimet verore nga turistët evropianë në SHBA kishin rënë me 25%.

Dhe raportohet se rënia e ardhjeve ndërkombëtare në SHBA thekson më tej rrezikun ekonomik që rrjedh nga politikat më agresive kufitare nën Trumpin.

Sipas ITA, vizitorët ndërkombëtarë shpenzuan më shumë se 253 miliardë dollarë për udhëtime dhe shërbime të ngjashme në SHBA vitin e kaluar, duke përbërë më shumë se 19% të shpenzimeve totale të turizmit prej 1.3 trilion dollarësh.

“Kufijtë nuk ndjehen më të sigurt”

Presidenti i Delta, Glen Hauenstein tha se linja ajrore ka parë një rënie “të konsiderueshme” të rezervimeve nga Kanadaja, duke e bërë atë të pezullojë parashikimet e saj financiare për këtë vit.

Gloria Sync, një artiste dhe autore nga Nottingham, Angli, tha se anuloi një udhëtim në San Francisko në maj pasi lexoi raportet e turistëve të ndaluar.

“Kufijtë nuk ndihen më të sigurt”, tha Sync, e cila është transgjinore dhe thotë se frikësohet për shkak të identitetit të saj.

“Unë nuk e di nëse do të kthehem ndonjëherë përsëri, sinqerisht.”

Ndryshe, udhëtimet nga Kanadaja, burimi kryesor i turistëve drejt destinacioneve dimërore në SHBA, janë gjithashtu në rënie.

Las Vegas mirëpriti 1.4 milionë kanadezë vitin e kaluar – një e katërta e të gjithë vizitorëve ndërkombëtarë në qytet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img