Organizata “Integra” ka prezantuar para Komisionit Parlamentar për Arsim një hulumtim për Akademinë e Shkencave, ku janë evidentuar mjaft shkelje nga ky institucion. Kushtrim Koliqi, nga “Integra”, ka thënë se ASHAK-u është në gjumë dhe nuk është llogaridhënës shkruan sot gazeta “Zëri”.
Sipas tij, të gjeturat në këtë hulumtim janë brengosëse dhe neveritëse. Madje Koliqi ka thënë se kjo akademi ka qenë më produktive në kohën e Milosheviçit sesa tash.
“Arsyeja pse kemi filluar me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve është sepse është njëri prej institucioneve kryesore në vend që ishte dashur të kontribuojë shumë në bërjen e politikave së paku për shkencë dhe kulturë në Kosovë. Të gjeturat janë shumë brengosëse, kur një institucion si Akademia e Shkencave është në këtë gjendje, çka presim ne prej institucioneve të tjera. Akademia e Shkencave ka qenë më produktive gjatë kohës së Milosheviçit sesa është tash e lëre më që s’mundet të krahasohet gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, ka deklaruar Koliqi.
Kurse autori i këtij hulumtimi, Shkelzen Gashi, ka thënë se Akademia nuk ka asnjë projekt të rëndësishëm për vendin. Ai tha se shumica e librave të botuara nga Akademia javë vetëm ribotime dhe shumica prej tyre vetëm në gjuhën shqipe.