Site icon PrishtinaPress

Eurovisioni në frikë – një grup hakerësh rusë thuhet se po tentojnë të ndërhyjnë në serverët e votimit për ta ndaluar Ukrainën që të fitojë

Hakerët kibernetikë rusë mund të synojnë festivalin Eurovision për të ndaluar Ukrainën të fitojë çmimin kryesor.

Killnet, një grup hakerësh pro-Putin, po sugjeron se do të imobilizojë serverët e votimit në internet, mbi mbështetjen për Kalush Orchestran, që janë përfaqësuesit e Ukrainës me këngën “Stefania” dhe njëherësh favorit për çmimin kryesor.

Grupi në fjalë është bërë gjithnjë e më i popullarizuar në të gjithë Evropën pas pushtimit rus të Ukrainës që nisi në muajin shkurt. Rusia ndërkohë sivjet është përjashtuar nga gara e madhe e Eurovisionit, shkruan DailyMail.

Në një postim në Telegram me logon e Eurovisionit, Killnet shkroi: “Nuk mund të votoni në internet”.

“Ndoshta sulmi ynë DDOS është fajtor për gjithçka”, shkruan ata, raportoi The Sun.

Të martën, Kalush Orchestra u ngjit në gjysmëfinalen parë të festivalit, të mbajtur në Torino, Itali.

Oleh Psiuk, anëtari themelues i grupit, tha se fitimi potencial i festivalit nga shteti ukrainas, mund të ‘rritë moralin’ në Ukrainë.

“Për vendin tonë është kaq e rëndësishme të kemi fitore në të gjitha mënyrat”, shtoi ai.

Kënga e tyre, “Stefania”, përmban vargun: “Unë gjithmonë do të eci drejt teje nëpër rrugë të prishura” – dhe është bërë edhe më domethënëse pas muajve të shkatërrimit të Ukrainës nga forcat ruse.

“Çdo vit sistemi i votimit të Eurovision ka një gamë të gjerë masash sigurie për të mbrojtur pjesëmarrjen e audiencës nga ndikimet e jashtme”, tha një zëdhënës i Eurovisionit.

“Ky vit nuk është ndryshe”, shtoi ai.

Mbrëmë, Killnet postoi një mesazh duke thënë se për një sulm tjetër ‘nuk ia vlen koha’, raportoi The Sun.

Kjo vjen pasi hakerët pro-rusë sulmuan faqet e internetit të disa institucioneve italiane, duke përfshirë senatin, njoftoi të mërkurën agjencia e lajmeve ANSA.

Killnet e mori përsipër sulmin, tha ANSA, i cili synonte gjithashtu Institutin Kombëtar të Shëndetit (ISS) dhe Automobile Club d’Italia, një shoqatë kombëtare e shoferëve.

Faqet e internetit të senatit, dhomës së lartë të parlamentit të Italisë dhe ISS u kthyen në internet në orën 20:00 (18:00 sipas kohës lokale). Një orë më parë, ishte e pamundur të qasesh në to.

Kryetarja e Senatit Elisabetta Casellati tha në Twitter se sulmi i hakerëve nuk kishte shkaktuar asnjë dëm.

“Këto janë incidente të rënda, të cilat nuk duhen nënvlerësuar”, ka shkruar ajo.

Ministria e mbrojtjes, uebfaqja e së cilës nuk ishte e disponueshme, tha në një deklaratë se kjo ishte ‘për shkak të aktiviteteve të planifikuara prej kohësh të mirëmbajtjes që po vazhdojnë në uebsajt’.

Një burim në agjencinë italiane të sigurisë kibernetike tha se ata po punonin me administratat e prekura për të rivendosur faqet e internetit, duke sugjeruar “kundërmasat e para të përshtatshme teknike”.

Policia tha se një hetim ishte në vazhdim, por nuk bëri komente të mëtejshme.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelet e alarmit në pritje të sulmeve të mundshme kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së IT-së.

Në fund të marsit, kompania hekurudhore italiane Ferrovie dello Stato Italiane (FS) ndaloi përkohësisht disa shërbime të shitjes së biletave nga frika se do të ishte shënjestruar nga një sulm kibernetik.

Në prill, Ministria e Tranzicionit të Ekologjisë tha se duhej të mbyllte të gjitha sistemet e saj të IT-së për shkak të kërcënimeve të jashtme.

Exit mobile version