1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Eurodeputeti: Pas ngjarjes në Banjskë sytë janë drejtuar kah Beogradi, dialogu të vazhdojë – s’ka plan B

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe se kjo është rruga e vetme.

“Nuk ka rrugë tjetër. Ne duhet të vazhdojmë dialogun. Nuk ka plan B. Gjithmonë kemi thënë se të gjithë të përfshirë në këtë çështje se e vetmja rrugë përpara në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është dialogu dhe se të gjitha alternativat e tjera janë tragjike. Ne duhet t’i kthehemi dialogut, të gjithë duhet të jenë serioz dhe të përkushtuar për dialog, është në interes të të gjithëve, veçanërisht të njerëzve që janë në Kosovë, të gjithëve që janë atje, si serbët dhe shqiptarët. Përndryshe, do të kemi një pamje shumë të ndryshme, e cila nuk do t’i pëlqejë asnjërit prej nesh. Dialogu është e vetmja rrugë”, ka deklaruar ai.

I pyetur se si i sheh ngjarjet në Banjskë dhe se disa eurodeputetë kërkuan sanksione ndaj Serbisë të enjten kur është seanca e Parlamentit Evropian, ai tha:

“E shihni, ju po flisni për dy gjëra. Njëra ka të bëjë me ngjarjet në Banjskë. Ajo që ndodhi në Banjskë ishte serioze dhe të gjithë në Parlamentin Evropian dhe institucionet e tjera evropiane e morën shumë seriozisht. Është thelbësore që ne t’i dimë të gjitha faktet, ne kemi nevojë për një hetim të qartë dhe të besueshëm për atë që ndodhi, drejtësi të dhënë dhe mësime të nxjerra. Ajo që ndodhi në Banjskë është një shembull se çfarë mund të ndodhë nëse politika, dialogu dhe komunikimi na dështojnë. Dhe kjo është potencialisht shumë shpërthyese, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht kur flasim për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Do të them shumë hapur se deri në Banjskë, shumë nga ata që e ndiqnin me kujdes dialogun ishin shumë të frustruar me Prishtinën dhe faktin që ajo nuk ishte e përkushtuar, sidomos kur bëhet fjalë për Asociacionin, por pas Banjskës të gjithë sytë janë të drejtuar edhe nga Beogradi dhe ne do kushtojmë vëmendje asaj në rezolutë”, tha ai.

Eurodeputeti tha se ata janë duke përgatitur një rezolutë për të negociouar me të gjitha grupet politike.

“Ne jemi duke përgatitur një rezolutë, jemi duke negociuar për të, të gjitha grupet politike kanë disa tekste dhe në fund do të kemi një tekst që do të jetë në Parlamentin Evropian të enjten. Nuk e di se cili do të jetë versioni përfundimtar, por dua të them dy gjëra. Njëra është masat kufizuese do të trajtohen në rezolutë dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ndjenja ime dhe e grupit tim politik është që ne të marrim masa kufizuese ndaj Serbisë dhe Beogradit vetëm nëse vendoset një lidhje e qartë mes ngjarjeve në Banjskë dhe udhëheqjes në Beograd. Deri më tani kjo nuk është vërtetuar. Gjëja e dytë është se PE do të ketë një rezolutë politike, por vendimi për çdo masë kundër Beogradit është në duart e anëtarëve të BE-së dhe Këshillit dhe pres që të jetë diçka e propozuar nga Borrell dhe ekipi i tij. Është shumë herët për të thënë se çfarë do të ndodhë. Ne duhet të marrim të gjitha faktet, drejtësinë dhe hetimi duhet të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe gjithashtu koha është e një rëndësie vendimtare”, ka deklaruar ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img